Prishtinë, 25 qershor – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur deklaratën që Kosova ka njohuri që në veri të vendit po bëhen përpjekjet për të improvizuar një “krizë humanitare”.
Siç tha sot ai në një konferencë për media, pas mbledhje së Qeverisë, në objekte dhe shtëpi të ndryshme në veri të Kosovës po mbahen produkte të caktuara ushqimore, ndërkohë që shitoret po boshatisen. Sipas tij, ky skenar do të duhej të aktivizohej të enjten.
Kryeministri Haradinaj, ka theksuar që ekzistojnë tendenca që Kosova të shtyhet që t’i mbyllë sytë përballë kontrabandës.
“Nuk guxojmë që ta lejojmë këtë, jo për shkak të ndonjë produkti ushqimor, por për shkak të kontrabandës, sepse në atë mënyrë mund të barten edhe narkotikët, armët dhe produktet tjera. Kemi detyrim që ta vendosim rendin dhe ligjin në veri”, ka thënë Haradinaj.
Kosova, në nëntor të vitit të kaluar, ka vënë taksën prej 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia, për shkak të, siç kanë deklaruar autoritetet në Prishtinë, sjelljes destruktive të Serbisë ndaj Kosovës.
Pavarësisht deklaratave të herëpashershme të përfaqësuesve politikë të serbëve, që kjo taksë ndikon në mungesën e produkteve, probleme të mëdha, deri më tash, nuk ka pasur.
Në anën tjetër, Kosova e ka forcuar kontrollin në rrugët alternative.
Drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, u ka thënë të martën mediave serbe që ditëve të fundit janë ndërprerë kanalet për furnizim nga Serbia me produktet themelore për jetesë.
Kryeministri Haradinaj, sot ka rikonfirmuar atë që e ka thënë javën e kaluar, që “aktorë të ndryshëm, zyrtarë dhe tregtarë serbë të Mitrovicës Veriore po e koordinojnë me zyrtarët e Beogradit një katastrofë humanitare”.
Ai, më herët, në një shkrim në Facebook, ka përmendur emra të organizatorëve të dyshuar të këtij plani, e ata, sipas tij, janë: Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq – Cojo, Sllavisha Staniq, Radulle Steviq. Siç ka thënë Haradinaj, sipas burimeve të mekanizmave të sigurisë së Kosovës, ky organizim do të ndihmohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Mbrojtja Civile” në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq.(koha.mk)