Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po merr pjesë në intervistim nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë gylenistëve, raporton “Zëri.info”.
Haradinaj foli për veprimet qe Qeveria ka marrë në lidhje me rastin e dëbimit te gjashtë gylenistëve.
“Ka qenë obligim i ministrit të punëve të Brendshme dhe drejtorit të AKI-së të më lajmërojnë më herët për operacionin. Atëherë, vendimi për shkarkim të tyre është marrë. Unë e di se Agjencia e Inteligjencës së Kosovës ka partneritet edhe me agjencinë turke. Nga ajo që kam vërtetuar unë ka pasur një nxitim të procedurës. Ne kemi disa partneritete me Turqinë. Mirëpo jo të gjitha informatat mbërrijnë te tavolina ime. Unë kam pasur një parainformatë për kërkesa qe i kanë bërë te prokuroria ynë për ngritje të hetimit për një numër të caktuar të qytetarëve turq”, tha ai.
Sa i përket shkarkimit të ish- drejtorit të policisë, Shpend Maxhunit dhe emërimit të tij në një pozitë edhe më të lartë, Haradinaj tha se ai ka qenë vetëm zbatues i urdhrave.
“Drejtori i policisë është vetëm zbatues nuk vendos ai. Nuk mundet të fajësohet zbatuesi. Unë kam vepruar për ata qe mu kanë detyruar në këtë rast. Policia ka besuar që po bënë një akt heroik. Është problem t’i themi policëve ju e keni bërë fajin. Më datën 30 unë kamë kërkuar lirimin nga detyra të drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës”, tha ai.
Me këtë rast, deputeti Anton Quni ka kërkuar nga kryeministri të tregoj se nëse ky operacion ishte i iniciuar nga vet AKI apo i kërkuar nga dikush jashtë saj.