Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka folur në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Edhe një herë, Haradinaj ka shprehur vendosmërinë e tij për mbajtjen në fuqi të taksës ndaj produkteve serbe, raporton lajmi.net.
Haradinaj ka thënë se Kosova me vendosjen e taksës e ka ruajtur trajektoren e shtetësisë së saj.
“Tani ki veprime të ngutshme. Nëse dikush të ka sundue ti me nguti duhet të mbrohesh dhe je i detyruar të marrësh veprime. Kosova duhet të sillet si shtet dhe ta ruajë trajektoren e saj”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka folur edhe për qëndrimin e Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, lidhur me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.
Në lidhje me këtë, Haradinaj është shprehur se Hahn ka shprehur gatishmërinë në përmbylljen e këtij kapitulli mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo se sipas tij përmbyllja nënkupton një marrëveshje me njohje reciproke.
Ai ka shtuar se zyrtarë të BE-së takohen gjatë gjithë kohës me ata serbë, dhe se sipas tij këto takime duhet të shfrytëzohen në drejtim të arritjes së marrëveshjes me Kosovën.
“Këta takohen me gjithkënd, pse nuk e shfrytëzojnë kohen me mbërri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje”, ka thënë ai.
“Unë nuk jam për të humb kohë, mirëpo mos të pret ndokush që ne do të shkojmë para dhe prapa. Me të drejtë njerëzit pyetin masi s’po na lëjnë bashkësia ndërkombëtare si të pavarur atëherë pse mos të bashkohemi me Shqipërinë”, ka shtuar ai.
Haradinaj në fund tha se nëse BE-ja e ka seriozisht punën e arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë duhet të llogarisë në institucionet e vendit dhe gatishmërinë e tyre.