Prishtinë, 24 maj – Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e porositi presidentin serb Aleksandar Vuçiç që të pranojë vlerat evropiane dhe të pranojë realitetin se Kosova është shtet i pavarur, raporton korrespondenti i MIA-s në Prishtinë.
Komentimi i Haradinajt vjen pas deklaratës së sotme të Vuçiqit se, pas samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Paris, muajin e ardhshëm, Serbia do të fillojë të marrë “masa të forta dhe të ashpra kundër Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës, përmes një njoftim në Fejsbuk, e porositi presidentin serb të tërhiqet nga pozicionet që kishte në të kaluarën të cilat “shkaktuan tragjedi dhe dhimbje”.
“Reflekto Z. Vuçiç! Është koha që të prezantosh vlera evropiane dhe jo qëndrime të cilat i ke prezantuar në të kaluarën, qëndrime këto që kanë shkaktuar tragjedi dhe dhimbje. Shteti i Kosovës është edhe shteti i serbëve të Kosovës, një shoqëri që ne e ndajmë së bashku. Neve na duhet shpresë dhe Kosova është gati për marrëveshje me të cilën pranohet realiteti i dy shteteve, në kufijtë ekzistues dhe respekt reciprok”, shkroi Haradinaj.