Prishtinë, 22 korrik – Kryeministri i Kosovës në dorëheqje Ramush Haradinaj bëri të ditur se për dorëheqjen e tij i ka njoftuar me shkrim anëtarët e institucioneve shtetërore dhe liderët e partive parlamentare të shqiptarëve, si ato të koalicionit në pushtet, ashtu edhe ato opozitare, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Haradinaj në faqen e tij në Fejsbuk bëri të ditur se, nën udhëheqjen e tij, Qeveria në dorëheqje do të vazhdojë të udhëheqë vendin deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Ai publikoi nënshkrimet e letrave të dërguara deri te presidenti i shtetit Hashim Thaçi, spikeri i Kuvendit dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli, liderët e koalicionit Iniciativa Socialdemokrate (Nisma) Fatmir Limaj dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) Bexhet Pacolli, si dhe ato të partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Isa Mustafa, Lëvizja Vetëvendosje (VV), Albin Kurti dhe Partia Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti.
“Sot, përmes një letre, i kam njoftuar krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për vendimin e dorëheqjes sime të parevokueshme nga funksioni i Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme, kam ftuar që të ndërmerren hapat e nevojshëm për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme nacionale, në mënyrë që e drejta për të zgjedhur t’i kthehet sovranit. Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, do të vazhdoj kryerjen e detyrave kushtetuese si Kryeministër dhe Qeveri në dorëheqje”, shkroi Haradinaj.
Në publikimin e Haradinajt nuk përmendet dhe nuk ka fotografi nga letra e dërguar deri te partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serve (LS), e cila ka dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës.
LS është pjesë e Qeverisë së Ramush Haradinaj, megjithatë nga vendosja e taksës prej 100 për qind për importin nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nëntorin e kaluar, në Kuvendin e Kosovës vepron si opozitë, edhe pse ministrat dhe zëvendësministrat e saj nuk u tërhoqën nga funksionet në kabinetin e Haradinajt. Përveç kësaj, partia me kandidatë të saj mori pjesë dhe fitoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komuna me shumicë të popullatës serbe në veri të Kosovës.
Partia e Goran Rakiq ua ofroi dhjetë votat e saj partive opozitare shqiptare për rrëzimin e Qeverisë së Haradinajt, megjithatë LDK-ja, VV-ja dhe PSD-ja e refuzuan ofertën, duke porositur se dëshirojnë ta rrëzojnë Qeverinë vetë, e jo me ndihmën e partisë e cila është nën kontroll të drejtpërdrejtë të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe me votat e të cilit Haradinaj dhe partnerët erdhën në pushtet.
Haradinaj të premten, më 19 korrik, dha dorëheqje nga funksioni i kryeministrit për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, duke porositur se para gjykatës dëshiron të paraqitet si qytetar i Republikës së Kosovës, e jo si kryeministër.