Prishtinë, 4 mars – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj sot e përsëriti qëndrimin e Qeverisë së tij se mundësia e vetme që të hiqet taksa prej 100 për qind të importit të mallrave serbe është njohja e ndërsjellë e Kosovës dhe Serbisë.
Haradinaj gjatë vizitës së sotme në Gjilan bëri thirrje në vazhdimin e dialogut me Beogradin, por pa involvimin e taksës në atë çështje.
Kryeministri kosovar tha se doganat mbeten “edhe krahas presioneve të vazhdueshme” nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, ndërsa rruga për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është njohja e Republikës së Kosovës nga ana e atij shteti.
“Taksa është vendosur dhe ajo mbetet, por mënyra që të mos i prishim marrëdhëniet me Amerikën dhe mënyra që t’i përforcojmë dhe besoj, edhe t’i rregullojmë marrëdhëniet me Serbinë është të arrihet njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi në kufijtë aktualë. Thellë jam i bindur se do të gjendet mënyrë që të kthehemi në dialogun me Serbinë, pasi edhe Serbia edhe ne synojmë drejt anëtarësimit në BE, pa dialogu të lidhet ose kushtëzohet me taksë”, deklaroi Haradinaj.