Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore, e cila u mbajt në kuadër të aktiviteteve kushtuar “Epopesë së UÇK-së”, rënies heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri, përcjellë gazeta KOHA.
Në fjalën e tij para përfaqësuesve institucionalë, të nivelit qendror dhe lokal, familjarëve të dëshmorëve, përfaqësuesve të Familjes Jashari, përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se e ndjejnë veten të pafuqishëm për të shprehur respektin për familjen emblematike, familjen legjendë të kombit tonë, Familjen Jashari dhe për Komandantin Legjendar, Adem Jashari.
Duke folur rreth përpjekjeve të popullit shqiptar për liri ndër shekuj, kryeministri Haradinaj tha se flijimin dhe rezistencën e familjes Jashari e kanë përjetuar i gjithë populli ynë, diçka që edhe në atë kohë por edhe sot kur kthehemi mbrapa, ishte vërtetë e trishtueshme, ishte e dhimbshme dhe e frikshme, mirëpo siç tha ai në vend që të na trishton, të na përul e të na frikëson e të na nënshtron, kjo sakrificë dhe ajo që ndodhi në Prekaz e kreu një mision që ishte prit gjatë që t’ju ndodhë shqiptarëve, e dërgoj në zemrat e njerëzve, në mendjet e njerëzve dhe kudo që ishin një ndjenjë se do t’i kushtohemi lirisë me çdo çmim.
“Të gjithë jemi Jasharaj, të gjithë jemi Adem Jashari, të gjithë jemi Drenicë, të gjithë jemi çlirimtarë, të gjithë jemi UÇK. Kjo ndjenjë ndodhi në Kosovë, në diasporë, kudo që jetonin shqiptarët në trojet tona etnike dhe kësisoj u nisë me të drejtë thënia se u shua një familje që me u ringjall një popull i tërë, e pastaj në gjirin e këtij populli me u rikthye familja ashtu si i takon dhe si e meriton, u bë realitet”, tha kryeministri Haradinaj.
Më tej, Kryeministri Haradinaj tha se dje në kazermën “Adem Jashari” ndodhi parakalimi i parë i ushtrisë tonë, ushtria më e re në Evropë dhe në botë, një ushtri e paqes, një ushtri e bijve dhe bijave tona, një ushtri që është mandatuar nga të zgjedhurit e popullit me mbrojtë Kosovën.
“Ne nuk do ta kemi të lehtë ta ruajmë kaq të pastër, jo vetëm respektin dhe përkujdesin për kategoritë e lirisë, por respektin dhe kujdesin për lirinë tonë, për popullin tonë, mirëpo ju siguroj se asnjëherë nuk do të humbim rrugën, për shkak se e dimë nga vijmë, e dimë nga cila dhimbje kemi mbërri këtu ku jemi dhe do të jemi çdoherë në respekt të gjithë sakrificës sublime të kombit tonë, veçanërisht përulemi me respekt para familjeve të dëshmorëve e në veçanti para sakrificës sublime dhe flijimit të Familjes Jashari, Komandantit Legjendar, Adem Jashari”, tha kryeministri Haradinaj.
Në këtë Akademi Përkujtimore, në emër të Familjes Jashari të pranishmit i përshëndeti, Rifat Jashari, vëllai i Komandantit Legjendar, Adem Jashari. Ndërsa në emër të shoqatave të dala nga lufta foli, Nasim Haradinaj dhe një kumtesë për rezistencën e Familjes Jashari dhe Komandantit Legjendar, Adem Jashari, e paraqiti, profesori Muhamet Malaj.(koha.mk)