Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj ka deklaruar në Tiranë se Kosova e ndjen ende nevojën për ndihmë nga Shqipëria në sfidat që e presin. Haradinaj, në konferencë të përbashkët me homologun Edi Rama, pas takimit në Tiranë, tha se kosovarët asnjëherë nuk kanë qenë vetëm në rrugëtimin e tyre.
“Krejt rrugëtimin e Kosovës, ne nuk kemi qenë kurrë vetëm. Kuptohet së më së afërti na u ka gjetë Shqipëria, dhe këtë e ndjejmë edhe sot”, tha Haradinaj, të mërkurë, raporton Express. “Jemi te vendosur që rrugëtimin tonë drejt BE ta bëjmë së bashku me Shqipërinë. Jemi të gatshëm që këtë respekt ta zgjerojmë”, tha kryeministri i Kosovës pas takimit me Edi Ramën.
“Rrugëtimi ynë si shtet, prapë është sfidë, dhe edhe këtu e ndjejmë Shqipërinë, me ndihmën që na përcjell”. Ai ka bërë të ditur se gjatë pritjes që homologu i tij i bëri në Tiranë, janë dakorduar që kalimet kufitare mes dy vendeve të kthehen në kalime të zakonshme. Po ashtu, Haradinaj përmendi edhe për portin e Durrësit dhe lehtësimet, në mënyrë që të mos ketë më pengesa të ndryshme administrative.
Haradinaj tregoi se e mirëpret edhe vendimin për mbledhje të përbashkët të dy qeverive Kosovë-Shqipëri, e cila parashihet të mbahet këtë vit në Korçë, më 27 nëntor.