Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj dhe ministri i Punëve të Jashtme Bexhet Pacolli e dënuan sulmin e djeshëm ndaj pelegrinëve serb në fshatin Studenicë në afërsi të Istogut dhe kërkuan autorët të nxiren para drejtësisë, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Haradinaj përmes Fejsbukut porositi se sulmi në Istog, ndaj dy autobusëve me pelegrinë serbë që po e vizitonin një tempull fetar, është i papranueshëm dhe i dënueshëm, pa marrë parasysh kryerësit apo motivet.
“Kosova dhe institucionet e saj janë të përkushtuara për paqe dhe stabilitet dhe çfarëdo sulmi mbi qytetarët është atak ndaj vlerave të përbashkëta evropiane, dhe si i tillë është në dëm të Republikës sonë! Kërkoj nga mekanizmat e zbatimit të ligjit që sulmuesit të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë”, shkruajti Haradinaj.
Me porosi të njëjtë në Fejsbuk u deklarua edhe shefi i diplomacisë kosovare Pacolli, i cili shkruajti se është i tronditur nga sulmi dhe kërkoi ndëshkim të autorëve.
Dy autobusë me gjithsej 170 pelegrinë serb dje u nisën për vizitë, e cila është paralajmëruar dhe paraqitur prej më parë, në kishën ortodokse të fshatit Studenicë.
Siç kumtoi policia kosovare, pasdite, prejse i mbaruan ritualet fetare, derisa ishin duke u bërë gati të kthehen në Serbi, tani për tani autorë të panjohur u kanë hedhur gurë autobusëve me targa të Beogradit.