Prishtinë, 6 dhjetor – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka biseduar sot përmes telefonit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për t’i njoftuar me rezultatin e takimit të djeshëm të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, ku është diskutuar edhe për nismën për krijimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës.
Megjithëse, në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se dy shteteve iu është kërkuar të tregohen të përmbajtur si dhe që plani për transformim të FSK-së mund të ketë pasoja negative, këtë nuk e ka përmendur kryeministri i Kosovës kur ka shkruar për bisedën.
“Duke shprehur mirëkuptim për qëndrimin e tij nga perspektiva multilaterale për procesin e tranzicionit, njëkohësisht e informova sekretarin e përgjithshëm Stoltenberg se Kosova është e përkushtuar për një proces të tranzicionit të FSK-së që do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore”, ka shkruar në profilin zyrtar në Fejsbuk, Haradinaj, shkruan Gazeta Ekspres.
Ndërkaq, Stoltenberg tha se u ka kujtuar përmes këtyre bisedave se dialogu i ndërmjetësuar nga BE është e vetmja mënyrë për të sjellë paqe dhe stabiliteti të qëndrueshëm në rajon.