Prishtinë, 5 korrik – Këshilli i Sigurisë i Kosovës ka mbajtur mbledhjen e rregullt ku u diskutua për presionet e Beogradit ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së.
Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj në një konferencë për media pas takimit shkurt ka njoftuar se ka thirrur mbledhjen e rregullt të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për të diskutuar dorëheqjet e pjesëtarëve serbë të FSK-së si dhe presionet që Beogradi po ju bënë atyre në vazhdimësi.
Ai ka përmendur edhe kërcënimet, si dhe sulmet ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së, megjithëse ka pohuar se nuk ka cënim të përgjithshëm të sigurisë.
“Ju keni qenë dhe tani besoj jeni në dijeni që tani ka dhe raportohet edhe në media, për sulme me armë dhe mjete shpërthyese që rrezikojnë jetën e pjesëtarëve serbë të FSK-së. Pra në të kaluarën ka ndodhur në veri pastaj është raportuar edhe për kërcënime të tjera, por së fundi ka rezultuar me kërkesën për lirim të një numri të pjesëtarëve Forcës se Sigurisë së Kosovës nga një rajon i Kosovës që nuk është veriu në ketë rast. Shumica e tyre në deklarimet në kërkesat për lirim paraqesin presion direkt nga autoritetet zyrtare të Beogradit. Qoftë gjatë lëvizjeve të tyre në Serbi, ndalimet dhe marrjen në pyetje dhe kërcënimeve për jetën e tyre dhe familjarëve të tyre e deri tek mjetet e tjera që janë përdorur, përfshi institucionet paralele që funksionojnë në Kosovë që kanë zbatuar axhendën e presionit dhe shantazhit e kërcënimeve”, theksoi Haradinaj.
Haradinaj, siç transmeton Kosovapress, po ashtu ka folur rreth asaj nëse këto presione të Beogradit vijnë edhe si kundërshtim të transformimit të mandatit të FSK-së në atë ushtarak dhe Forcë te Armatosur të Kosovës.
“Dikur ka pasur një qëndrim zyrtar të Beogradit se serbët e Kosovës nuk duhet të marrin pjesë fare ne institucionet e Kosovës. Sot qytetarët serbë të Kosovës janë qytetarë të barabartë dhe marrin pjesë në institucionet e Kosovës. Ky presion nga Beogradi është i pakuptueshëm”, tha Haradinaj.
10 pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti serb kanë kërkuar lirimin e tyre nga shërbimi javën e kaluar. Ne fillim të këtij viti kishte edhe sulme me bombë ndaj disa pjesëtarëve nga ky komunitet në veri të vendit.