Mizat e shkreta paguajnë më së shumti haraçin e dembelisë së deputetëve tanë, sepse vetëm ato mbajnë mbi supe fuqinë e ndikimit që deputetët ushtrojnë, sa herë që atyre iu mungojnë idetë për të iniciuar ndonjë projekt me interes publik për zonën e tyre elektorale
Nga Emin AZEMI
Sa po merren deputetët shqiptarë me detektimin e problemeve të karakterit ekonomik e social në mjediset prej nga vijnë ata? Sa ata po ju ndihmojnë banorëve të zonave rurale të vijnë më lehtë te burimet e financimit për të mëkëmbur bujqësinë, blegtorinë…? Cilat projekte zhvillimore i kanë inicuar ata, e që janë refuzuar nga Qeveria dhe institucionet shtetërore?
Sa deputetë shqiptarë kanë mbajtur tubime joformale me mërgimtarët tanë për t’u informuar më për së afërmi me idetë dhe planet e tyre që do t’i realizonin në vendlindje?
Mund të radhisim edhe shumë pyetje të tjera, por këto mjaftojnë për të shtruar një problem jetik që lidhet me rolin e deputetit dhe lidhjen e tij me hallet dhe problemet e bazës elektorale. Jo se deputetët tanë nuk i dinë detyrat dhe obligimet për të cilat edhe e kanë marrë mandatin nga populli, por nga inercia e punëve rutinore që zakonisht ndodhin në Parlament, vëmendja e tyre rastis edhe të defokusohet nga problemet e mësipërme dhe për rrjedhojë mund të fitohet përshtypja se ata asgjë nuk punojnë. Ose, të krijohen hamendësime në publik se deputetët tanë më tepër angazhohen për probleme gjeostrategjike të globit, e më pak me problemet e lagjes apo fshatit prej nga vijnë ata.
Që të mos ketë hamendësime dhe mjegullime të panevojshme, megjithatë do të duhej të thuhet se në përbërjen aktuale parlamentare ka deputetë shqiptarë që me kulturë të lartë përgjegjësie dhe me sens të zhvilluar profesional po i kryejnë obligimet e tyre, duke qenë madje jo rrallë edhe në ballë të ideve e nismave me rëndësi fundamentale për të ardhmen e këtij shteti.
Por, në anën tjetër, ka edhe mjaft deputetë gjumash (këta dominojnë), të cilët në Kuvend shkojnë vetëm sa për të marrë rrogën dhe mëditjet, kurse materialet që i marrin nga shërbimet, shpesh i përdorin (pa i lexuar), ose për të ndezë stufën në shtëpi (në kohë dimri), ose për të fshirë xhamat e pluhurosur të shtëpisë (në kohë vere).
Sikur të mos ekzistonte kategoria e parë e deputetëve, që përmendëm më lartë, do të fitohej përshtypja sikur Kuvendi është një berberhane që pret e përcjell njerëz për të qethur mërzitë e tyre të grumbulluara nga dembelia e mospuna. Zaten plotë deputetë nganjëherë i shohim të paqethur e parruar, për faktin se ata i kaplon aq shumë mërzia sa nuk dinë prej nga t’ia nisin ta vrasin kohën. Sigurisht këtu mund ta ketë burimin edhe zhurma që dëgjohet në zyrat e tyre, ndonëse tash së fundmi e kuptuam se ajo nuk kishte qenë zhurma e tastaturës së laptopit, duke shkruar ndonjë projekt zhvillimor, por e përplasjes së shuplakave teksa zënë pisk ndonjë mizë. Mizat e shkreta paguajnë më së shumti haraçin e dembelisë së deputetëve tanë, sepse vetëm ato mbajnë mbi supe fuqinë e ndikimit që deputetët ushtrojnë, sa herë që atyre iu mungojnë idetë për të iniciuar ndonjë projekt me interes publik për zonën e tyre elektorale. (koha.mk)