Hapja me filmin “Hunting Flies” të Izer Aliut

Shkup, 18 tetor  – Me projeksionin e filmit “Hunting Flies” në regji të Izer Aliut, të mërkurën në mbrëmje në kinemanë “Milenium” u hapet Festivali i pestë për të rinj “Xhifoni Maqedoni”.

Drejtori i “Xhifoni Maqedoni”, Darko Basheski, potencoi se krahas 15-të filmave në konkurrencë zyrtare, ka edhe program tjetër shoqërues të filmave, përzgjedhja e filmave më të mirë për të rinj nga Koreja, filma të cilat lidhen me muzikën dhe xhazin, në bashkëpunim me Xhaz festivalin e Shkupit, filma të shkurtër të Hanis Bagashov, regjisorit më të ri në Maqedoni, i cili ka filluar të bëjë filma në moshën 11-vjeçare. “Këtë vit në festival do t’i kemi tri grupmosha, si edhe çdo vit: juniorë, kadetë dhe seniorë ose mbi 700 fëmijë. Të gjithë këta fëmijë janë kandidatë që të jenë në përzgjedhjen e tetë fëmijëve të cilët vitin e ardhshëm do të na prezantojnë në Itali”, tha Basheski. Shtoi se sivjet kanë pasur interesim shumë të madh për festivalin dhe se si partner të Xhifonit kanë privilegjin të dërgojnë dyfish më shumë anëtarë të rinj të jurisë, tetë, ndërsa të gjitha shtetet e tjera nga katër.

Sqaroi se për çdo projeksion të filmave do të ketë diskutim për temën e filmave, ndërsa fëmijët të cilët do të jenë më aktiv dhe më elokuentë do të zgjidhen që të na prezantojnë vitin e ardhshëm në Itali.

Drejtori dhe themeluesi i festivalit “Xhifoni Eksperiens” (“Giffoni Experience”) nga Italia, Klaudio Gubitozi, potencoi se djemtë dhe vajzat nga Maqedonia të cilët vijnë në Xhifoni Itali janë më ndryshe dhe gjithmonë janë veçuar, në mesin e mijëra të rinjve prej 50 vendeve. Ai shtoi se tre aktivitetet e tyre ndërkombëtare janë në Maqedoni, Shqipëri dhe Katar. Ambasadori italian në Maqedoni, Karlo Romeo theksoi se hapja e festivalit përkon me Javën e Gjuhës Italiane në botë. Sipas tij, festivali ka përmbajtje të pasura dhe kontribut të madh në thellimin dhe ruajtjen e bashkëpunimit kulturor midis Italisë dhe Maqedonisë.

Filmi “Hunting Flies” është xhiruar në vitin 2013. Premierën botërore e kishte në Festivalin e filmit në Toronto, ndërsa në Oslo në prill të 2017-ës. Regjisori Izer Aliu është me origjinë shqiptare nga Maqedonia, jeton në Suedi dhe Norvegji ku e ka përfunduar arsimin e lartë për film. Filmi i tij artistik “Hunting Flies” në të cilin rolin kryesor e luan aktori i njohur, Burhan Hamiti, është xhiruar në Kondovë ndërsa filmi paraprak i shkurtër i regjisorit Aliu “To Guard a Mountain” është xhiruar në Radushë të Shkupit.