Autoritetet e Shkupit, hasën në një pengesë serioze në zbatimin të të ashtuquajturit “Projekt për hapjen e shkollave turke në Maqedoninë Perëndimore”, ku elementi turk atje fare nuk ekzistonte, përkatësisht e tërë popullsia e konfesionit islam që përbënte shumicën e popullsisë në atë zonë, i takonte etnitetit shqiptarë, në përjashtim të një pjese të vogël sllavo-folëse, që asaj kohe njihej si pomake apo torbeshe
Nga Qerim LITA
(vazhdon nga numri i kaluar)
Në mbledhjen e zgjeruar që Byroja Politike e KQ të LKM-së e mbajti më 29 shkurt 1952, përfaqësuesi i UDB-ës, Arizon Nestorovski – Marçe, kërkoi që emigracioni politik shqiptar të zhvendoset nga Maqedonia Perëndimore në atë Lindore, për arsye se, sipas vlerësimit të tij, “emigrantët të cilët janë në rrethin tonë (Tetovë – Q.L.), e të cilët thuajse të gjithë janë përkrahësit e komiteteve perëndimore, ndikojnë negativisht te popullsia…”. Ngjashëm si Marçe, në mbledhje u shpreh edhe përfaqësuesi i UDB-ës për rrethin e Dibrës, duke shtuar se “çështja e emigrantëve përbën problemin e madh politik, i cili duhet zgjidhur…”.
Për sa u pa më sipër, del se jugosllavët ishin tepër të interesuar që pushtetin në Shqipëri ta mbajnë sa më shumë që ishte e mundur klika staliniste në krye me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, pa marrë parasysh marrëdhëniet e tyre të “acaruara”, sepse për ta ishte shumë e qartë se me vendosjen e një pushteti demokratik pro-perëndimor në Shqipëri, do të bëhej e pamundur realizimi i të gjitha atyre planeve, programeve dhe elaborateve të hartuara nëpër kuzhinat e Byrove Politike të Beogradit e të Shkupit, të cilët për synim kishin dëbimin e dhunshëm të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre etnike për në Turqi, dhe kolonizimin e po atyre trojeve me elemente sllave, një proces, zbatimi i të cilit filloi në pjesën e dytë të vitit 1953, pikërisht në RP të Maqedonisë. Udhëheqësi komunist jugosllav, J. B. Tito, në tubimin e organizuar më 11 tetor 1953 në Shkup, në mënyrë të drejtpërdrejtë sulmoi shtetet perëndimore, veçmas Italinë për, siç do të shprehet, “qëllimeve imperialiste ndaj Shqipërisë”, të cilat fare nuk dallojnë nga ato të Musolinit: “…Në kohë të fundit rreth Shqipërisë sërish është duke u turbulluar uji, edhe atë në mënyrë që në botën e jashtme po flitet se si gjoja Jugosllavia ndaj Shqipërisë ka qëllime të këtilla e të atilla, se si Jugosllavia ka qëllime ekspansioniste e të tjera….Jugosllavia nuk ka as çfarë pretendimesh ndaj Shqipërisë. Jugosllavia dëshiron që Shqipëria të jetë shtet i pavarur, Jugosllavia konsideron se populli shqiptar ka të drejtë që ta zgjedh rregullimin shoqëror ashtu siç dëshiron vetë, atë pushtet të cilin e dëshiron…Mirëpo, ne, asnjëherë nuk do të pajtohemi me cilindoqoftë atë, i cili do të përzihet në punët e brendshme shqiptare, ndërsa për këtë më së paku ka të drejtë Italia…”.
Ky reagim i Titos erdhi për shkak se kohë më parë, përkatësisht në muajin korrik të atij viti, me nismën e italianëve u krijua një bashkim midis Bllokut Kombëtar Indipendent dhe Ballit Kombëtar, krahut të Ali Klisurës, me çka u krijua Besëlidhja Shqiptare që mori emrin “Bashkimi Demokratik Shqiptar”. Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë, vinte në dukje se “kjo Besëlidhje”, e cila ishte rrjedhojë e një pune të dobishme më se një vjeçare “sot peshohet si grupi politik shqiptar më i fort” dhe se ka rrjetin më të zgjeruar se çdo organizatë tjetër politike shqiptare në mërgim… Blloku duke u bashkuar me Ballin e Ali Klisurës lindi një formacion politik që përmbledh dhe harmonizon në gjirin e tij forcat më të shëndosha antikomuniste…”.
Çështjen e emigracionit politik shqiptar, në viset shqiptare të Maqedonisë së sotme, do ta shtrojë edhe përfaqësuesi i UDB-së për rrethet Tetovë e Gostivar, Arizan Nestorovski – Marçe, i cili në një mbledhje të Byrosë Politike të KQ PKM-së, mbajtur në shkurt të vitit 1952, lidhur me qëndrimin e kësaj pjese në rrethet e Tetovës dhe Gostivarit shprehet: “…Për mendimin tim është që emigracioni i cili gjendet në rrethin tonë, të cilët thuajse të gjithë janë përkrahësit e komiteteve perëndimore dhe ‘Shqipërinë Etnike’, ndikojnë negativisht te popullata dhe se nuk është e favorshme që qëndrojnë në ato krahina”.
Ndërkohë, autoritetet e Shkupit, hasën në një pengesë serioze në zbatimin të të ashtuquajturit “Projekt për hapjen e shkollave turke në Maqedoninë Perëndimore”, ku elementi turk atje fare nuk ekzistonte, përkatësisht e tërë popullsia e konfesionit islam që përbënte shumicën e popullsisë në atë zonë, i takonte etnitetit shqiptarë, në përjashtim të një pjese të vogël sllavo-folëse, që asaj kohe njihej si pomake apo torbeshe. Sipas Byrosë Politike të PKM-së, ishin dy elemente kryesore që e pengonin realizimin e këtij plani antishqiptarë: mësuesit shqiptarë dhe emigracioni politik shqiptar. Lidhur me veprimtarinë e tyre, në një elaborat të hartuar nga ana e Byrosë Politike të KQ PKM-së, duke folur për organizimin e mësuesve shqiptar në rrethin e Gostivarit potencohej: “…Në Gostivar si edhe në Tetovë këto elemente armiqësore si formë të parë për veprimtari e kanë zgjedhur nejet e organizuara. Kështu një grup i tyre prej 15 anëtarëve (në të cilën pati edhe tre anëtarë emigrantë nga Shqipëria) janë grumbulluar në darkë. Ata kanë kënduar këngë nacionaliste, dhe janë shprehur për mundimet e tyre, kanë dhënë premtime të ndryshme për lojalitetin e tyre ndaj kombit etj. Gradualisht ky grup kërkon formë për krijimin e një organizate ilegale, për veprimtari më efikase armiqësore, organizatë e cila do ta quanin ‘Shkëndija’. Kuptohet se, deri te krijimi i kësaj organizate nuk erdhi dhe grupi u shkatërrua (tre u burgosën, njëri u shpërngul në Zagreb), mirëpo këto mësues, krahas tubimit në grup dhe bisedave, kanë vepruar edhe në popull, qoftë përmes shoqërive kulturo-artistike po ashtu edhe me paraqitjet publike nëpër konferenca, në mbrojtje të pakicës shqiptare, prandaj pikërisht në këtë ekziston rreziku më i madh si dhe pasojat më të mëdha…”.
Udhëheqës i këtij grupi politik shqiptar, ishte mësuesi Murtezan Bajraktari, i cili burgoset në fillin të vitit 1953. Lidhur me veprimtarinë e këtij personaliteti të shquar, në elaboratin e mësipërm thuhej: “…Këtë gjendje më së miri e paraqet Murtezan Bajraktari, mësues nga Gostivari (ka qenë në kursin pedagogjik në Tetovë dhe Shkup), i cili është burgosur në fillim të këtij viti për tentim të krijimit të organizatës ilegale . Ai në procesverbalin e tij flet për të gjitha veprat e tij: propagandë armiqësore, mendime nacionaliste, tentim për krijimin e organizatës etj. dhe dëshiron të paraqitet se si krenohet me këtë se me ato ide të veta është burgosur. Për shembull , në pyetjen se përse është bërë armik i pushtetit popullor të RFPJ-së , ai përgjigjet: ‘Arsyeja që unë të marrë qëndrim armiqësorë është ajo se unë nuk jam pajtuar me hapjen e shkollave turke në Tetovë dhe Gostivar. Mendoja se kjo masë, e cila po zbatohet nga ana e pushtetit, nuk është e drejtë dhe se me këtë shkohet drejt zhdukjes së kombit shqiptar. Vendosa se përparësi më të madhe ju jepet turqve, se sa shqiptarëve, dhe se shkohet kah ajo që shqiptarët të turqizohen. Për këtë arsyeje unë vendosa që t’u kundërvihem këtyre masave të cilat u sollën nga ana e pushtetit, duke e ndier veten si nacionalistë dhe si i tillë vendosa të jap gjithçka nga vetvetja vetëm e vetëm që shqiptarët të ndihen si nacionalistë dhe të mos lejojnë që t’i turqizojnë…”.
Është me rëndësi të vihet në dukje fakti, se të gjitha informacionet e Byrosë Politike të PKM-së, gjatë viteve 1951-1954, pohonin se ndikimi i politikës së Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, për dallim nga ajo enveriane ishte dominante në trevat shqiptare të Maqedonisë së sotme Veriore. Në kuadër të kësaj bën fjalë edhe raporti i delegacionit të KQ PKJ-së, i cili në qershor të vitit 1951, pas një vizite pune që do t’ua bëj komiteteve partiake të rretheve, duke folur për problemin shqiptar shprehet: “…Te pakicat nacionale, posaçërisht te shqiptarët në kohë të fundit dukshëm është rritur ndikimi i elementeve reaksionare edhe atë në radhë të parë elementi reaksionar shqiptaro-madh, qendra e së cilës është Athina”. Ngjashëm thuhet edhe në elaboratin e Byrosë Politike të KQ PKM-së, kushtuar shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi: “…Propagandë për qëndrimin në trojet e tyre dhe mosshpërngulje për Turqi posaçërisht po zgjerohet nga ana e Komitetit të Zogut në Turqi, kështu që shumë shqiptarë të cilët verën e vitit 1953 ishin me ekskursionin atje më herët mendonin të shpërnguleshin, ndërsa tash janë agjitatorët më të mëdhenj për të ngelur këtu….”.
Mbështetur në të dhënat e UDB-së jugosllave, krahas Komitetit të Legalitetit, në Turqi, ndikim të madh pati edhe Komiteti i Partisë Katundare, në krye të së cilës ishte Sait Kryeziu. Komitetin e kësaj partie në Turqi e udhëhiqte Hasan Kaloshi. Ky shërbim informonte se në mesin e emigracionit shqiptarë në Perëndim “ka kohë që bëhet luftë për të bërë për vete emigracionin shqiptar në Turqi, i cili është mjaft i madh në numër, dhe sipas vlerësimit të këtij shërbimi “Sait Kryeziu, ka arritur të bëjë për vete disa të rinj, prandaj në Turqi është formuar ‘Lidhja Popullore e Katundarve dhe Bujqve -Liko Buka”.
Gjithnjë, duke u bazuar në burimet e proveniencës policore e partiake jugosllav-maqedonase, shohim se, zgjerimi i politikës kombëtare që udhëhiqej nga Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë, në trevat shqiptare të Maqedonisë së sotme Veriore, kryesisht zhvillohej përmes “emigracionit politik shqiptarë” në këtë republikë. Në një dokument të hartuar gjatë vitit 1952, e që u kushtohej veprimtarisë së kësaj shtrese politike shqiptare thuhej:
“Emigracioni shqiptar në RPM-ë me anë të letrave është lidhur me të gjithë miqtë dhe farefisin e tij në Perëndim. Nuk janë të rralla rastet që emigracioni i këtushëm t’ju dalë në ndihmë Komiteteve Perëndimore duke ju dhënë disa të dhëna nëpërmjet letrave…Numri i madh i emigrantëve tash më janë të përcaktuar se cilës parti i takojnë. Është vërejtur se në letrat dërguar emigracionit të këtushëm po dërgohen programe, proklamata, gazeta, broshura etj. Në letra lartësohen partitë e atjeshme, si ‘Legalitetin’, ‘Komitetin Shqipëria e Lirë’, ‘Partin Katundare’, ‘Ballin Kombëtar’ dhe parti tjera . Si rezultat i këtij ndikimi, disa emigrantë kanë filluar të paraqiten në linjën iredentiste, duke folur për: kthimin e Ahmet Zogut në Shqipëri, për Shqipërinë Etnike, e cila pas çlirimit do të duhej t’i bashkojë Kosovën dhe Metohinë si dhe pjesë të Maqedonisë Perëndimore…”.
Nisur nga fakti se qëndrimi i mëtutjeshëm i kësaj shtrese politike shqiptare, dëmtonte tej mase planet e errëta e antishqiptare të klikës komuniste të Shkupit, me vendim të Byrosë Politike të PKM-së, nga pranvera e vitit 1952, “emigracioni” politik shqiptarë i vendosur në rrethet e Tetovës, Shkupit, Gostivarit e Dibrës së Madhe, u transferua dhe u vendos në pjesën lindore të Maqedonisë, përkatësisht në rrethet: Kavadar, Negotinën e Vardarit, Gjevgjeli, Veles, Vallandovë, Shtip etj..
Në përmbyllje të këtij punimi, kushtur politikës së Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, mundë të konstatojmë se shqiptarët në përgjithësi, e të trevave verilindore në veçanti, gjatë asaj periudhe kohore ishin përkrahës të politikës antikomuniste, qoftë asaj titiste apo enveriste, të cilës i printe Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë. Për këtë, meritë të madhe patën, atdhetarët e njohur të kësaj ane, që vepronin në perëndim si: Hafiz Isuf Azemi, Avdyl Azizi, Ali Peçi, Hysni Dema, Liman Lika, Riza Karoshi, Alinafi Tahiri, Irfan Ohri, Avni Derralla, Liman Manastiri, Lutfi Abdyli etj. Nuk duhet harruar as roli i mësuesve shqiptarë si: Mehmetriza Murtezan Gega, Murtezan Bajraktari, Abdulla Kalishta, Eshref Hoxha, Adnan Agai, Bajram Selimi, Medat (Mit’hat) Cami, Riza Sulejmani, Remzi Pustina, Ismail Seiti, Neim Dogani e shumë të tjerë, por edhe të strehuarit politik si Fik Maliçi, Mehdi Ndreu, Abdulla Kaloshi, Shehat Tonuzi etj. (fund)