Hapja e shkollave turke në Maqedoninë Perëndimore dhe në Kosovë, shkaktoi reagime dhe kundërshtime të ashpra, si nga inteligjencia e atëhershme shqiptare, diaspora politike, po ashtu edhe nga disa shqiptarë të involvuar në organet partiake të rretheve. Komisioni për Arsim dhe Kulturë, përmes një Analize, vinte në pah kundërshtimet e mësuesve shqiptarë që të jepnin mësim në shkollat turke. Rezistencë edhe më të madhe bënë mësuesit dhe pedagogët shqiptarë të Kosovës
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Analiza që rezultoi nga ky aksion do të aprovohet pa asnjë kundërshtim, përfshinte 40 faqeve, e ndarë në katër nëntituj kryesorë: historiati dhe gjendja politike në mesin e popullatës shqiptare në Maqedoni; çështja e arsimit; çështja ekonomike dhe çështja organizative. Në fakt, analiza, përbënte programin e modifikuar serbë “Naçertania”, në të cilën shqiptarët paraqiten si ardhacak, të cilët në këto vise ishin vendosur duke e përdorur “dhunën dhe terrorin ndaj popullatës autoktone sllave (serbo-maqedonase)” se ata ishin: “fundamentalistë islamikë, shqiptaro-mëdhenj, fashistë, terroristë, shovinistë, banditë, reaksionarë” dhe njollosje të tjera, të cilat sipas analizës: “pushteti popullor maqedonas duhet të ndërmerr masa kundër tyre.”. Në analizë më tej thuhet se pjesa dërmuese e popullatës myslimane në Maqedoninë Perëndimore ishte “turke”, sidomos në: Tetovë, Gostivar dhe Strugë, dhe se “detyrimisht duhet të hapen në ato qytete shkolla turke”. Në dokument vërehet fare qartë se shpifjet që u bëheshin shqiptarëve, ishin të njëjta me ato që u bënë në fund të Luftës së dytë Botërore (1944).
Krahas “Analizës”, kreu i Byrosë Politike, solli edhe disa konkluzione, lidhur me problemet politike, arsimore, ekonomike dhe organizative në territoret ku shqiptarët përbënin shumicë absolute të popullatës. Në to fillimisht ftoheshin organizatat partiake dhe ato masive të rretheve që të punonin: “..në përmbysjen e tendencave nacional-shoviniste, si dhe në vendosjen e punës aktive të luftës kundër tendencave të zhvilluara për bashkimin e Shqipërisë nëpërmjet komiteteve perëndimore.” Kjo për kreun e Byrosë Politike ishte e domosdoshme për arsye se lufta e tyre për “përmbysjen e Shqipërisë së Enverit” tashmë kishte dhënë rezultate të duhura, mirëpo mungesa e punës së tyre të deriatëhershme për çështje tjera, krijonin mundësinë “për bashkimin e Shqipërisë nëpërmjet komiteteve perëndimore ose për Shqipërinë e bashkuar pa Enverin dhe Rusinë.”.
Në pjesën ku flitej për problemin e arsimit në mënyrë të qartë vihej në dukje: “është e domosdoshme që të hapen shkolla në gjuhën turke në Maqedoninë Perëndimore, në vendbanimet ku jetojnë turqit; shkolla shqipe e Normales në Tetovë të mbyllet dhe pranë shkollës normale në Shkup, të hapen paralele turke dhe shqiptare; të ndërmerren masa për pastrimin e mësuesve jo të përshtatshëm politikisht dhe të dobët profesionalisht dhe gradualisht të shkohet drejt pastrimit të mësuesve të ardhur nga Shqipëria…etj”. Mbështetur në këto vendime, në vitin shkollor 1951/52, vetëm në Pollog u hapën gjashtë shkolla turke, edhe atë: Tearcë, Tetovë, Vrapçishtë, Banjicë e Poshtme, Banjicë e Epërme dhe në Gostivar. Hapja e shkollave turke në Maqedoninë Perëndimore dhe në Kosovë, shkaktoi reagime dhe kundërshtime të ashpra, si nga inteligjencia e atëhershme shqiptare, diaspora politike, po ashtu edhe nga disa shqiptarë të involvuar në organet partiake të rretheve. Komisioni për Arsim dhe Kulturë, përmes një Analize, vinte në pah kundërshtimet e mësuesve shqiptarë që të jepnin mësim në shkollat turke. Rezistencë edhe më të madhe bënë mësuesit dhe pedagogët shqiptarë të Kosovës. Në një konferencë e cila u mbajt në janar të vitit 1951, e që i kushtohej hapjes së shkollave turke në Prishtinë, Zekiria Rexha, duke folur në emër të mësuesëve shqiptarë ndër të tjerave deklaroi se “nuk është e drejtë të hapen shkolla turke në Prishtinë” për arsye se popullsia është shqiptare dhe jo turke. Si rrjedhojë e një politike të tillë, në regjistrimin e vitit 1953 numri i turqve në RFPJ-ë u trefishua. Një dukuri e tillë erdhi në shprehje veçanërisht në RP të Maqedonisë, ku tashti numri i popullsisë turke çuditërisht u shtua për 107.998 banorë, ndërsa ai shqiptar ra për 34.865 banorë.
Është me rëndësi të vihet në dukje fakti se, vet autoritetet e atëhershme komuniste maqedonase, e pranonin se shumica dërmuese e popullsisë e cila qe deklaruar si “turke”, në fakt ishte shqiptare. Komisioni për pakicat nacionale, në Informatën e hartuar në tetor të vitit 1959 ndër të tjerave shprehej, se mundësia për ndërrimin legal të përkatësisë nacionale midis regjistrimeve të vitit 1948 dhe 1953, ishte “shfrytëzuar në përmasa më të gjëra nga ana e shqiptarëve”, nga ku arrihet që gjatë periudhës midis dy regjistrimeve numri i turqve të rritet për 107.998 banorë, përkatësisht mbi 100%, dhe se kjo rritje ishte rezultat i ndryshimit të strukturës, e assesi nuk vjen parasysh “prej rritjes së natalitetit të turqve”, por nga vetë deklarimi i shqiptarëve. I këtij mendimi ishte edhe Drejtoria e Sigurimit Shtetëror, përkatësht UDB-ja e atëhershme, sipas së cilës ndërrimi identitetit ishte “rrjedhojë e nivelit të ulët të vetëdijes nacionale te shtresa më e madhe shqiptare”. Përderisa organet e atëhershme të RP të Maqedonisë, shpreheshin kësisoi, në anën tjetër ata e akuzonin inteligjencën shqiptare se zhvillonte propagandë tek masat shqiptare kundër turqizimit dhe shpërnguljes së tyre në Republikën e Turqisë. Sipas Dhomës për politikë të jashtme pranë KQ të PKM-së, gjatë fushatës që u zhvillua në kohën e regjistrimit të popullatës lidhur me deklarimin si shqiptar apo turk: “elementet reaksionare dhe veçanërisht mësuesit, ndërmorën një aksion të gjallë, sidomos në Gostivar, duke apeluar te popullata që të mos deklarohet si turke dhe të mbetet kompakte si shqiptare….”. Në qershor të vitit 1953, KQ i PKM-së, mbajti mbledhje të zgjeruar, me dy pika të rendit të ditës: regjistrimi i popullatës dhe raport i UDB-së lidhur me jehonën e shpërnguljes për Turqi. Të pakënaqur nga numri i banorëve të deklaruar si turq, sidomos kjo në rrethet e Tetovës dhe Gostivarit, anëtarët e KQ të PKM-së, vendosën, që në emër të “humanizmit” të: “gjithë ata qytetar të cilët në vitin 1953 ishin deklaruar si shqiptarë, nëse kanë shprehur dëshirë të shpërnguleshin për në Turqi, t’u lejohej ndërrimi i identitetit të tyre kombëtar”.
“Ne nuk duhet t’i pengojmë njerëzit që vullnetarisht dëshirojnë të shpërngulen. Ajo çka është më e rëndësishme, ai i cili është për socializëm dhe për këtë shtet, që e don këtë shtet si shtet të tij socialistë, ai do të ngelë, pa marrë parasysh a është shqiptarë apo turk. Ndërsa ai, qoftë për shkaqe familjare, ose mospajtime tjera të ndryshme, qoftë element armiqësor dhe dëshiron të shpërngulet le të shkojë.”, do të shprehet veç tjerash Llazar Kolishevski në mbledhjen e lartpërmendur. Në pajtim me qëndrimet e aprovuara në mbledhje, sekretariatet regjionale për punë të brendshme, e filluan shpërndarjen e letërnjoftimeve të reja, për qytetarët shqiptarë që “dëshironin” të shpërnguleshin, duke ua mundësuar të ri-deklaroheshin si turq. Kjo dukuri mori përmasa të mëdha në qytetin e Tetovës, ku për 10 ditë mbi 600 kryefamiljarë i ndryshuan letërnjoftimet e tyre. Po në atë kohë, me kërkesë të Beogradit, Turqia në vend të Orsit, si vice-konsull të Shkupit e emëroi, Sali Diler, i cili në tërësi do t’i zbatoj urdhrat e ambasadorit, sa i përket shpërnguljes. Të kënaqur me punën që po e bënte vice-konsulli i ri turk, UDB-ja, i raportonte KQ të PKJ se: “me ardhjen e vice-konsullit të ri, Sali Diler dhe marrjen e punës së tërësishme sa i përket shpërnguljes, sjellja ndaj palëve është përmirësuar”. (vijon nesër)