HAPJA E KUSHTETUTËS: Mes izolimit dhe integrimit!

Çfarë ka bërë VMRO-DPMNE për integrimet euroatlantike, pyet ish-deputeti, Pavle Bogoevski. Ai tha se pajtohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, për deklaratën se E Majta dhe Apasiev janë rreziku më i madh për rrugën evropiane, ndërsa Hristijan Mickoski është peng i tyre. Se Maqedonia nuk duhet të kthehet prapa dhe të vetizolohet, ka folur dje edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama

 

Xhenur ISENI

Shkup, 16 nëntor – Nëse doni të ndryshoni Kushtetutën, atëherë urdhëroni dilni në zgjedhje dhe lërini qytetarët të vendosin. Kështu është në vendet skandinave, kështu është në Suedi, nëse doni të ndryshoni kushtetutën, atëherë më falni dilni, dhe ndryshone atë, me këtë kërkesë doli lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Ai potencoi edhe emrin e ish-kryeministrit Zoran Zaev me përfshirjen eventuale të bullgarëve në Kushtetutë. “Zaev nuk ka dalë me program për ndryshim të kushtetutës, dhe të thotë këtu unë do ta ndryshoj Kushtetutën, do t’i fus bullgarët, prandaj votoni nëse jeni për mua apo nuk jeni me mua”, theksoi ai në një paraqitje televizive. Nga këtu parashtrohet pyetja, nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të jenë kushti për hapjen e Kushtetutës?

Advertisements

Analisti politik Bllagojçe Atanaskoski, mendon se zgjedhjet e parakohshme, në këtë moment, mund ta komplikojnë edhe më shumë situatën e ngrirë politike në vendin tonë, sepse nuk është aq e lehtë të parashikohet shpërndarja e forcave paszgjedhore në parlament. “Në çdo rast, do të duhet bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës për të hapur Kushtetutën dhe për të arritur një shumicë prej 2/3. Nuk e di nëse është manovër politike e Mickoskit, që përmes zgjedhjeve të parakohshme të mendojë se do të fitojë dhe pastaj të mbështesë votimin e ndryshimeve kushtetuese. Sepse në atë mënyrë brutalisht, paturpësisht dhe verbërisht do t’i mashtrojë dhe manipulojë anëtarët dhe simpatizantët e tij dhe kjo mund t’i kthehet si bumerang i pakënaqësisë në rrugët e Shkupit dhe Maqedonisë”, potencon Atanasoski.

Çfarë ka bërë VMRO-DPMNE për integrimet euroatlantike, pyet ish-deputeti dhe aktivisti, Pavle Bogoevski. Ai gjatë një paraqitje televizive tha se pajtohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, për deklaratën se E Majta dhe Apasiev janë rreziku më i madh për rrugën evropiane, ndërsa Hristijan Mickoski është peng i tyre. “Le t’i fillojmë negociatat për anëtarësim tani, e pastaj kur të vijë VMRO-DPMNE në pushtet, le ta ndryshojnë Marrëveshjen me Bullgarinë. Ju i mbani peng negociatat tona me Unionin, duke menduar se Evropa do të ndryshojë qëndrimin e Bullgarisë. Kjo nuk do të ndodhë, tha Bogoevski. Sipas tij, për ndryshimet kushtetuese duhet të gjendet një shumicë prej dy të tretash. “Pres të jetë e pasigurt deri në momentin e fundit, por besoj se do të gjendet një shumicë. Ka mjaft kohë për të paraqitur argumentet. Nëse nuk gjendet shumica – po, do të jetë fatale, sepse në letër është kushti ynë i vetëm”, tha Bogoevski.

Ndërkohë, dje Kryeministri Dimitar Kovaçevski sërish bëri thirrje deri tek deputetët që të mbështesin ndryshimet kushtetuese me të cilat bullgarët do të bëhen pjesë e Kushtetutës së vendit. Kovaçevski theksoi se ky veprim paraqet vazhdimësi të procesit eurointegrues të vendit, ndërsa kritikoi opozitën duke thënë se nuk ka të drejtë të izolojë shtetin. “Nëse dikush ka vendosur që të izolohet, nëse para kësaj ka vendosur që ta izolojë edhe partinën e tij, ai nuk mundet dhe nuk ka të drejtë ta izolojë të gjithë shtetin”, tha mes tjerash Kovaçevski. Ai tha se si shembull duhet të merren vendet që deri në vitet e 90′ kanë qenë pjesë e “Paktit të Varshavës”, e që sot janë pjesë e BE-së dhe kanë standard shumë më të mirë të jetesës dhe se si rrjedhojë, deputetët duhet të mendojnë për të ardhmen tonë evropiane. “Ata shtete para se të bëhen anëtare të BE-së, kanë pasur standard edhe më të ulët të jetesës se ne, këtë të gjithë e dimë, ndërsa sot qytetarë tanë punojnë në këto vende”, tha Kovaçevski.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deri sa dje ishte për vizitë në Shkup, tha se edhe përkundër që Shqipëria ka një model tjetër, theksoi se ka njohur shumë minoritete përshi edhe atë bullgar. “Ndryshimet kushtetuese më duket se vetëm ligësia, dritëshkurtësia dhe patriotizmi i shtirur mund ti kthejnë në arsye për tu përçarë mes vete dhe në hapësirë për të krijuar probleme në këtë vend, ndërkohë që ky vend ka nevojë për të vrapuar dhe anëtarësuar në BE. Kushtetuta e juaj është një model i njohur. Mund t’ju them se ne në Shqipëri kemi një model tjetër, por ne kemi njohur në parlament një numër jo të vogël minoritetesh, përfshi edhe minoritetin bullgar, dhe nuk duket se jemi të kërcënuar nga ndonjë minoritet, përkundrazi ne i konsiderojmë minoritete pasuri të madhe”, tha Edi Rama derisa komentoi çështjen e ndryshimeve kushtetuese. (koha.mk)