Omer XHAFERI
Prokuroria Speciale Publike gjatë punës së saj të deritanishme në masë të madhe ka ndikuar në hapjen e institucioneve tjera shtetërore ndaj opinionit, raporton gazeta KOHA në numrin e sotëm. Megjithatë, profesoresha e të drejtës penale, Besa Arifi, thotë se kjo “transparencë” e organeve shtetërore më shumë ka qenë e detyrueshme se sa vullnetare. Ajo vëren se jo gjithmonë kumtesat apo konferencat e institucioneve të apostrofuara nga PSP-ja, kanë qenë me dëshirë. Sipas saj, kjo hapje organeve shtetërore kundrejt opinionit më të gjerë, më tepër i ka ngjarë përgjigjeve ndaj kërkesave të cilat Prokuroria Speciale Publike i ka adresuar në një institucion të caktuar. Prej themelimit të prokurorisë e cila udhëhiqet nga Katica Janeva, opinioni vendor ka qenë dëshmitarë se si një numër i konsiderueshëm i institucioneve shtetërore, në mesin e të cilave gjykatat, prokuroritë, organet e sigurisë apo drejtoritë, filluan të publikojnë të dhëna lidhur me punën e tyre, qofshin ato edhe me arsyetime ndaj hetimeve të cilat PSP-ja i ka filluar. Ndonëse se kjo hapje, siç thotë profesoresha Arifi është e detyrueshme apo e obliguar, kjo dëshmon se Puna e Prokurorisë Speciale ka filluar të vendos standarde të reja në Maqedoni sa i përket marrëdhënieve me publikun. “Roli i PSP-së në drejtim të vendosjes së standardeve të reja me publikun në Maqedoni është i një rëndësie të veçantë, për shkak se këto standarde të panjohura për opinion vendas, ato i zbatuan në shumë aspekte. Fillimisht, transparenca e këtij institucioni është bërë gjatë prezantimit të punës së tyre, aktivitete këto që burojnë nga rastet dhe hetimet që ato i procedojnë. Kjo është hera e parë në Maqedoni, që mediat dhe opinion më i gjerë të kenë kaq informata nga një institucion publik, siç është Prokuroria. Deri më tani nuk ka qenë praktikë e ndonjë institucioni publik shtetëror të jep kësi vëllimi të informacioneve, kështu që mendoj se kjo prokurori në këtë drejtim ka vendosur standard të ri të punës së organeve shtetërore”, thotë profesoresha Arifi. Përveç standardeve të reja të punës, ndryshim tjetër që ky institucion e ka bërë prej kur u themelua, është edhe mënyra e re e qasjes ndaj hetimeve që i ka filluar. Në këtë drejtim, ekspertja juridike Arifi thekson se në të shumtën e rasteve që i ka proceduar kjo prokurori, ka kërkuar apo propozuar që gjykatësi në procedurë paraprake të shqipton masën e kujdesit, e jo masën më të rëndë atë të paraburgimit. “Kjo prokurori mendoj se deri më sot ka bërë një punë shumë të madhe, megjithatë ajo gjatë aktiviteteve të saja ka qenë shumë e penguar dhe e hendikepuar nga më shumë institucione, ndër të cilat më e theksuar është Gjykata Themelore Shkupi 1, e cila po thuajse aspak nuk i ka pranuar propozimet e PSP”, shton Arifi. Nga ana tjetër juristja dhe ish gjykatësja në Gjykatën e Strasburgut, Margarita Caca-Nikollovska, mendon më ndryshe. Sipas saj, nuk bëhet fjalë për standard të ri, por se çështja ka të bëjë me praktikën e deritanishme, respektivisht se sa një pjesë e prokurorive apo gjykatave i zbatojnë standardet e transparencës. “Transparenca nuk nënkupton vetëm deklaratat për media, por se ajo është një kuptim më i gjerë, i cili mund të bëhet në forma të ndryshme. Njëherit mendoj se në këtë situatë në të cilën gjendet shteti jonë, duhet të ketë më shumë informacione nga të gjitha anët, për ta parë opinioni se diçka vendoset, diçka punohet. Institucionet vendore tek ne janë determinuar dhe janë caktuar kompetencat e tyre, megjithatë rezultate nga praktika nuk ka”, thotë ish gjykatësja Margarita Caca-Nikollovska.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara