Është lëshuar në përdorim vendkalimi kufitar Bellanoc- Staniq, që e lidh rajonin e Karadakut me atë të Gjilanit në Kumanovë. Vendkalimi do të mundësojë ndërlidhje para se gjithash të qytetarëve të dy shteteve dhe do ta përmirësojë biznes-komunikimin dhe shkëmbimin tregtar, u theksua në solemnitetin në të cilën morën pjesë kryeministri Oliver Spasovski, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, kolegu i tij kosovar, Enver Hoxhaj, si dhe kryetarët e Likovës dhe të Gjilanit, Erkan Arifi dhe Lutfi Haziri
Shkup, 31 janar – Kufiri Stançiq-Bellanoc është hapur për qarkullim këtë të premte. Në përurimin e vendkalimit kufitar Maqedoni-Kosovë kanë marrë pjesë zyrtarë të Qeverisë së Maqedonisë dhe asaj të Kosovës. Të pranishëm në këtë akt solemn kanë qenë edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve. Kryeministri Oliver Spasovski gjatë hapjes së kufirit Bellanoc-Stançiq, deklaroi se ky është një projekt i cili bashkon dhe thellon edhe më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve. “Republika e Maqedonisë së Veriut kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme me Republikën e Kosovës. Projektet sikur ky i sotmi vetëmse thellojnë edhe më shumë këtë bashkëpunim. Përmirësojmë infrastrukturën mes dy vendeve tona, siç është autostrada Shkup-Bllacë. Në kemi raporte të shkëlqyeshme dhe nuk kemi asnjë çështje të hapur”, tha Spasovski.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Bujar Osmani gjatë hapjes së kufirit Bellanoc-Stançiq, deklaroi se ajo që vetëm para tre vitesh dukej si projekt i dështuar, i prolonguar apo lënë në harresë, së bashku me kolegun Enver Hoxhaj që është këtu i pranishëm, zgjatëm dorën dhe i dhamë besën që këtë kalim kufitarë do ta bëjmë realitet. “Ky objekt që shihni nuk është vetëm një kalim kufitarë por një objekt i përbashkët i dy vendeve i ndërtuar në vetë linjën kufitare që paraqet një projekt kompleks dhe sfidues tha Osmani për të cilin kjo është përmbushje e kritereve evropiane gjatë realizimit të tij duke e marrë parasysh se mjetet janë siguruar nga Fondet Ipa të dedikuara për dy vendet. Ky nuk është vetëm edhe një kalim kufitarë tjetër por një projekt evropian dhe shembull për atë si duhet të bashkëpunojnë fqinjët në Ballkan”, theksoi Osmani.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj u shpreh se me këtë projekt po realizohet një ëndërr e kamotshme e banorëve të kësaj zone si nga ana e Kosovës ashtu edhe nga ana e Maqedonisë së Veriut. “Kjo është një ditë shumë e veçantë që do të mbahet mend nga të dyja vendet. Hapja e kësaj pike kufitare ka qenë një ëndërr e kamotshme e qytetarëve të ët dyja vendeve. Hapja e këtij kufiri është një përafrim edhe më i madh mes Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Enver Hoxhaj. Ndryshe, vendkalimi kufitar është ndërtuar me mjete nga BE-ja, përmes IPA programit. Objekti kushton 1,2 milionë euro, të siguruara me mbështetje të shtetit prej 10 përqindëve. Ndërtimi i rrugës nga fshati Sllupçan deri në vendkalimin kufitar Bellanoc prej 15 kilometrave është financuar nga shteti dhe kushton gjashtë milionë euro. Vendkalimi kufitar do të jetë i hapur për qarkullimin e lirë të njerëzve, kurse pas 6 muaj do të jetë i hapur edhe për transportin e mallrave. (koha.mk)