Shkup, 31 janar – Retail Parku i parë në Shkup me një sipërfaqe prej 9,500 m2 dhe mbi 300 hapësira parkimi do të hapet në Shkup nga Cushman and Wakefield/FORTONMKA si agjent ekskluziv. Për disa muaj edhe Shkupi do të ketë një Retail Park, siç kanë qytetet e mëdha evropiane. Parku ndodhet mes komunës së Çairit dhe Butelit, në vendin e ish fabrikës Tipo dhe është i pozicionuar midis dy bulevardeve, të cilat paraqesin një pikë strategjike komunikimi mes lagjeve Qendër, Karposh, Butel dhe Çair.
Në një sipërfaqe prej 9.500 m2, blerësit do të kenë rastin të gjejnë brendet e famshme të modës, dyqane zinxhirë të pajisjeve teknike, si dhe dyqanet për mobilie dhe orendi. Një pjesë e Retail Parkut do të përfshijë brendet e njohura si NEPTUN, JYSK, LC Waikiki, Sport Vision KFC, ZEGIN. Gjithashtu ne Retail Park do të ketë edhe supermarket, bankë, kafiteri, një restorant dhe një kënd lojërash për fëmijë me sipërfaqe prej 2.500 m2.
“Për një kohë të gjatë, Shkupi është duke pritur një projekt të kësaj natyre me një interesim të madh. Ne po punojmë me zell dhe presim së shpejti të bëhet hapja”, është shprehur Katarina Nikollov, nga Cushman and Wakefield/ FortonMKA. Investitor i objektit është kompania Ali Tobacco nga Shkupi, ndërsa hapja është planifikuar që të bëhet në qershor të vitit 2019.