Evis HALILI
Shkup, 19 prill – Mbi pesë mijë tituj librash të artit modern do të jenë pjesë e bibliotekës dhe Qendrës hulumtuese që është hapur në Muzeun e Artit Bashkëkohor. Fondi përbëhet prej 5.200 titujsh dhe mbi dy mijë revistave, po ashtu edhe monografish nga autorë të huaj dhe vendas, çka nënkuptojnë edhe formimin e databazës më të madhe të artit modern dhe bashkëkohor në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Projekti për hapjen e qendrës ka karakter edukativ dhe do të shërbejë si për artistët e rinj, po ashtu edhe për të gjithë hulumtuesit që punojnë në sferën e artit modern. Pas disa ditësh, më 26 prill, në këtë muze fillon cikli “Të harruarit”, që i dedikohet të gjithë krijuesve që jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë dhënë kontribut në vendet ku jetojnë. Sipas drejtorit Llaze Tripkov, artisti i parë i këtij cikli është dizajneri Mihajlo Arsovski, i cili jeton në Kroaci, ndërsa që ende nuk dihet se kush mund të jenë artistët shqiptarë të përzgjedhur për të qenë pjesë e këtyre prezantimeve. “Te librat dhe revistat për një kohë të gjatë nuk kemi pasur akses dhe kjo bibliotekë që u hap para disa kohësh, u mbyll pa ndonjë shkak. Duke qenë se krahas organizimit të ekspozitave dhe manifestimeve të ngjashme, një prej prioriteteve të institucionit tonë është që të ofrojë edhe publikime dhe botime të cilat do të jenë në dispozicion të kritikëve, studentëve të artit e më gjerë”, ka Tripkovë gjatë hapjes së qendrës.
Pjesa më madhe e këtyre publikimeve janë të dixhitalizuara dhe mund të lexohen edhe përmes faqes elektronike të MAB. “Kemi bërë disa marrëveshje edhe me shkolla dhe fakultete, pasi qendra është hapur për to dhe atë të cilën ato do të hulumtojnë, e cila mund të arrihet përmes databazës së madhe që është vënë në dispozicion të Muzeut të Artit Bashkëkohor. Besoj se ky fond bibliotekar do të zgjerohet më shumë në të ardhmen duke nxitur kështu zhvillimin e veprimtarisë kërkuese”, ka thënë ndër të tjera ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska Mileska. Pak kohë më parë, Ministria e Kulturës, përcjell KOHA, realizoi rikonstruktimin e ambienteve të këtij muzeu duke e pasuruar fondin e veprave të artit më gjithsej tre mijë punime nga autorë vendas dhe të huaj. Ndërsa projektin për qendrën hulumtuese është mbështetur edhe nga Eurolink, që ka financuar rregullimin e brendshëm të qendrës. “Vitin e kaluar pamë një valë të re të profesionistëve në këtë sferë dhe menduam që të kontribuonin në ruajtjen e trashëgimisë dhe thesarit kulturor, dhe të nxisim artistët e rinj ë të lënë gjurmët e tyre në kohën në të cilën jetojmë”, ka thënë Ollga Kostovska. (koha.mk)