Shkup, 3 dhjetor – Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanovë ka çelur konkursin për pjesëmarrje në edicionin e tretë të manifestimit interdisiplinar “Pena ime – 2020” . Në festivalin e profilizuar për art figurativ, letrar dhe muzikor, që do të mbahet online me datë 20 dhjetor të këtij viti ftohen të marrin pjesë artistë nga mosha 18 deri në 33 vjeç nga të gjitha trojet shqiptare.
Për shkak të rrethanave specifike me pandeminë, sivjet konkursi do të përfshijë vetëm lëmin e artit figurativ dhe atij letrar, gjegjësisht fokusi do të jetë tek fotografia dhe tregimi. Konkursi për fotografinë është i hapur për të gjithë fotografët profesionistë dhe të pasionuarit e fotografisë që mund të konkurrojnë duke dërguar foto (2) me ngjyrë ose bardh e zi. Ndërsa në konkursin për tregim tema është e lirë, ndërsa krijimet duhet të përmbajnë nga 300 deri në 3000 karaktere.