Ohër, 8 qershor – Është i hapur konkursi për trajnimin e tetë me radhë ndërkombëtar për liderë të rinj që nën patronatin e presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov do të mbahet në Ohër në periudhën prej 20 gushtit deri më 1 shtator. Programi është i dedikuar për të rinj me arsim të kryer të lartë të cilët kanë dëshirë që përmes shkathtësive të veta prej lideri të kontribuojnë për zhvillim pozitiv të shoqërisë dhe rrethinës në të cilën punojnë dhe jetojnë.
Siç ceket në konkursin e publikuar, programi i shkollës përfshin ligjërata dhe trajnime praktike për lidership, me ligjërues eminentë nga vendi dhe jashtë, ndërkaq mësimi zhvillohet në gjuhën angleze dhe maqedonase. Në konkursin që është i hapur deri më 12 qershor mund të marrin pjesë të gjithë të rinjtë nga Republika e Maqedonisë dhe mërgimtarë tanë që jetojnë jashtë vendit. Kushtet për konkurim, parashohin që aplikuesit të kenë njohje të shkëlqyeshme të gjuhës angleze, të kenë mesatare (të barabartë apo më të madhe se 8,5) të studimeve deridiplomike, ndërkaq përvoja e punës prej minimum një viti do të konsiderohet si përparësi. Aplikacioni, që duhet të parashtrohet në Kabinetin e Presidentit të RM-së, duhet të përmbajë biografi, letër të shkurtë motivimi, kopje nga vërtetimi për provime të dhëna, vërtetim për shkallë të avancuar të njohjes së gjuhës angleze dhe dy rekomandime. Shkolla për liderë të rinj për herë të parë ishte organizuar nga fundi i gushtit të vitit 2010 në Ohër. Në shtatë vitet e kaluara në të kanë marrë pjesë rreth 280 të rinj me përcaktim të ndryshëm akademik dhe profesional. Pjesëmarrësit e shkollave të deritanishme janë organizuar në Asociacionin Alumni – ISLAA, regjistruar si shoqatë e posaçme, ku përmes organizimit të seminareve, panel diskutimeve, ligjëratave dhe pjesëmarrjeve në ngjarje rinore, vazhdon zhvillimi i njohurive dhe shkathtësive të pjesëmarrësve të deritanishëm të shkollës.