Hapet impianti “grackë” që thith CO2 dhe e shndërron në gur

97

Orca ka kushtuar rreth 15 milionë dollarë dhe mund të thithë 4 mijë tonelata të CO2, pak a shumë ndotja e 800 makinave për një vit. Është fillimi i një qasje të re dhe konkrete në luftën kundër ndotjes mjedisore, por ka edhe kritikë që e shohin ende si një projekt jo të leverdishëm

Kur kemi përballë pamjen e një fabrike, na vjen gjithmonë mendimi bashkëshoqërues i një strukture që shkakton ndotje. Por në rastin e fabrikës së përuruar së fundmi në jugperëndim të Islandës, më e madhja në botë e tipit të tij, ndodh pikërisht e kundërta. Kjo sepse “Orca”, siç quhet impianti por edhe projekti disa vjetor mbrapa tij, si objektiv unik ka pikërisht pastrimin e ajrit me anë të mbledhjes së anhidridit karbonik. Procesi është revolucionar, praktikisht një “kurth” për CO2 ku disa ventilatorë gjigantë thithin anhidritin që mblidhet në një dhomë ku me temperatura të larta bashkohet me ujin dhe injektohet një mijë metra nën tokë, duke u mineralizuar dhe duke  shndërruar në gur me kalimin e kohës.

Orca ka kushtuar rreth 15 milionë dollarë dhe mund të thithë 4 mijë tonelata të CO2, pak a shumë ndotja e 800 makinave për një vit. Është fillimi i një qasje të re dhe konkrete në luftën kundër ndotjes mjedisore, por ka edhe kritikë që e shohin ende si një projekt jo të leverdishëm.

Kostot e prodhimit janë tejet të larta, rreth 800 dollarë për tonelatë anhidridi karbonik, ndërkohë që objektivi i konsorciumit zvicerano-islandez që e ka ndërtuar është që të shkojë në 300 euro për tonelatë brenda vitit 2030, më pas nën 150 dollarët, duke u shndërruar në një sipërmarrje vërtet fitimprurëse. Impiante me të njëjtin sinonim ekzistojnë në vende të ndryshme të botës, dhe kanë logjika të tjera, si krijimi i zonave kënetore, fertilizimi i oqeanit me hekur, duke stimuluar zhvillimin e gjallesave, por të tëra kanë problemin  e kostove të mëdha, por edhe të terrenit, sepse jo çdo vend ka hapësirat e Islandës dhe një terren të përshtatshëm plot burime vullkanike.