Shkup, 25 tetor – Mbi 100 projekte inovative janë prezantuar në edicionin e 43-të të Panairit ndërkombëtar “Tehnoma” që prej sot e deri më 29 tetor mbahet në Shkup, por në vend që si tradicionalisht në Panairin e Shkupit, mbahet në VIP Arenën e qendrës sportive “Boris Trajkovski”. Marrin pjesë prodhues të mëdhenj, të mesëm, të vegjël dhe të huaj nga fusha e metalurgjisë, elektroteknikës, energjetikës, jometaleve, ndërtimtarisë, sigurimit dhe mbrojtjes, ndërsa zyrtarisht Panairin e hapi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev. “Sivjet ‘Tehnoma’-n po e mbajmë në lokacion të ri në VIP Arenën ‘Boris Trajkovski’, ndërsa në organizim të Panairit të Shkupit e cila është kompania e vetme e specializuar për mbajtje të manifestimeve të panaireve”, tha Daniella Gligorovska, drejtoreshë ekzekutive e Panairit të Shkupit. Ky manifestim i panairit, siç tha, është fokusuar të mundësojë nxitje të frymës sipërmarrëse dhe inovative, mbështetje ndërmarrjeve, teknologjive, shkencës, aftësive dhe diturive, nxitje për individët me potencial inovativ dhe për investimet për arritje të produktivitetit më efikas. Zëvendëskryeministri Angjushev vlerësoi se ky manifestim i panairit ka rëndësi të madhe për ekonominë e Maqedonisë. “Vetë ajo që ekziston 43 vite flet për nevojën dhe rëndësinë e saj”, theksoi Angjushev dhe shtoi se ky është vendi ku takohen afaristët, ku kompanitë kanë mundësi t’i ekspozojnë prodhimet e tyre, ndërsa ata të cilët kanë nevojë për këto të takohet me ofertuesit. Theksoi se Qeveria do t’i mbështesë manifestimet e këtilla dhe se është e përkushtuar në mbështetjen e ekonomisë në tërësi. “Qeveria edhe më tej do të jetë e përkushtuar që t’i mbështesë të gjithë subjektet në Maqedoni. E kumtuam programin për rritje ekonomike në RM i cili është transparent dhe çdo afarist do të dijë se çka mund të presë si mbështetje nga Qeveria nga fillimi aspak për këtë pa negociuar. Do të jetë e barabartë për të gjithë investuesit dhe të gjithë kompanitë në RM të regjistruara në Regjistrin Qendror dhe ato në mënyrë të njëjtë do të mbështeten në punën e tyre”, theksoi Angjushev. Në organizim të “Panairit të Shkupit” paralelisht me “Tehnoma” do të mbahet edhe Ekspozita ndërkombëtare e inovacioneve – MAKINOVA 2017, ku kompanitë do t’i prezantojnë dhe promovojnë prodhimet dhe metodat e tyre inovative. Në kuadër të “Tehnoma 2017” nesër do të mbahet tribunë me temë “Aspektet komerciale të inovacionit dhe mundësive financiare për mbështetje të së njëjtës – përvoja në Maqedoni dhe strategjitë e ardhshme për zhvillim të biznes koncepteve inovative?!” Tradicionalisht, në “Tehnoma 2017” do të prezantohen edhe ekonomitë nacionale të shumë vendeve, krahinave dhe rajoneve, ndërsa për rritje të bashkëpunimit të do të ketë të organizuara programe profesioniste dhe B2B takime. Orari i punës në panair është nga ora 10:00 – 19:00. Çmimi i biletës hyrëse është 50 denarë, ndërsa për vizitat e organizuara grupore 30 denarë.