Rilindja shqiptare është frymëzuar prej asaj evropiane. Tek këto lëvizje progresive evropiane të kohës ka qenë edhe baza e tolerancës fetare, e koncepteve të sendërtimit të shoqërive shqiptare apo dhe tek vizionet se ku përkisnin shqiptarët. Kjo është filozofia që kanalizohet në shprehjen se “dielli për shqiptarët lind në perëndim”. Ushqimi filozofik vinte nga këto ide që në esencë kishin individin, pavarësisht se kush ishte dhe çka besonte, por i barabartë në raport me shtetin. Produkt i kësaj filozofie janë më pas zhvillimet politike që sollën mundësinë që një prift, Noli, të zgjidhej kryeministër në një vend me shumicë myslimane, e kjo të mos përbënte problem
Nga Nazim RASHIDI
John Locke, është filozof anglez që ka jetuar nga viti 1632 deri në vitin 1704 dhe që konsiderohet si një nga frymëzuesit e rilindjes evropiane dhe themeluesi i liberalizmit. Është i rëndësishëm edhe për faktin se ka frymëzuar edhe kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas shpalljes së pavarësisë, që është ende esenca e të drejtave dhe lirive të njeriut. Rëndësia e Locke ka peshë edhe për faktin se është ndër të parët që flet për rëndësinë e tolerancës fetare duke hedhur poshtë bindjet që sundonin në atë kohë se ka qenë vullnet ose e drejtë e Zotit që mbretërit të sundonin.
E përmend këtë filozof, sepse në kohën e tij është konsideruar si një nga njerëzit më me ndikim intelektual në Angli,por edhe për faktin se shkollimi i tij i asaj kohe ka përfshirë ndër të tjera edhe gjuhët latine, greke, hebraike dhe arabe. Sigurisht rilindja evropiane do të vinte me potencën e saj më vonë në histori, por idetë e Locke të paktën ato bazike për liberalizmin kishin ardhur prej tij ku në qendër janë liritë dhe të drejtat individuale. Liberalizmi më pas zhvillohet në doktrinën që mbase e njohim sot më mirë e që ka në qendër pikërisht lirinë e individit, ku besohet se është e domosdoshme që qeveritë të mbrojnë individët nga sulmet e të tjerëve, por gjithashtu thonë se edhe qeveritë mund të jenë rrezik ndaj lirive.
Pa hyrë në shumë detaje të historisë së filozofisë politike, kjo doktrinë në fund të shekullit 19 ka insistuar se pushteti i qeverive mund të promovojë dhe njëkohësisht edhe të mbrojë liritë e individit. Liberalizmi modern ndërkohë thotë se detyra kryesore e qeverive është të shmangë pengesat që nuk lejojnë individët të jetojnë të lirë ose që nuk lejojnë të realizojnë potencialin e tyre. Por një gjë e tillë nuk është vetëm deklarative, sepse mbrojtja dhe krijimi i kushteve përfshin varfërinë, sëmundjet, diskriminimin dhe vini re: INJORANCËN. Pra gjithë fushat me të cilat merret shteti.
Do t’i kthehem kësaj doktrine, por për ta vënë në kontekstin tonë, ajo është e rëndësishme tej mase, sepse edhe Rilindja Shqiptare është frymëzuar prej saj. Tek këto lëvizje progresive evropiane të kohës, ka qenë edhe baza e tolerancës fetare, e koncepteve të sendërtimit të shoqërive shqiptare apo dhe tek vizionet se ku përkisnin shqiptarët. Kjo është filozofia që kanalizohet në shprehjen se “dielli për shqiptarët lind në perëndim”. Ushqimi filozofik vinte nga këto ide që në esencë kishin individin, pa varësisht se kush ishte dhe çka besonte, por i barabartë në raport me shtetin. Produkt i kësaj filozofie janë më pas zhvillimet politike që sollën mundësinë që një prift, Noli, të zgjidhej kryministër në një vend me shumicë myslimane, e kjo të mos përbënte problem. Sigurisht që mund të radhisim edhe shembuj të tjerë.
Zhvillimi i ynë i sotëm politik mund të sjellë edhe prirje dhe ndikime të tjera, sigurisht, sepse asnjë nuk është imun nga ndikimet globale. Madje ne në historinë tonë kemi dhe një përvojë të tillë, ku Enver Hoxha tentoi të mbyllë vendin nga çfarëdo ndikimi dhe e dimë se çfarë ndodhi. Në këtë kontekt, siç po shohim sot ka lëvizje të ndryshme, sidomos ato populiste po dominojnë politikën globale, ato mund të shfaqen edhe këtu nëpërmjet kanaleve e rrugëve të ndryshme, ideologjike apo interesash të lojtarëve të mëdhenj. Por kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se duhet harruar apo edhe më keq nënvlerësuar se nga buron, ku e ka bazën dhe pse vjen liberalizmi mes nesh, që në fund krijon hapësirë, ose tenton të paktën, që të gjithë të jenë të barabartë si individë para shtetit dhe ku shteti duhet t’i mbrojë këto liri dhe të drejta.
Është tejet e rrezikshme të minohet kjo vlerë, sepse zhvillimi ynë ka pasur shumë sakrifica e gjak, por sigurisht edhe shumë keqkuptime e keqinterpretime. Idetë liberale, fryma e lirive fetare, sidomos mosdominanca e një feje mes shqiptarëve, por edhe në shoqëri, vishet shpesh si pasojë nga komunizmi, sepse komunizmi, sidomos ai shqiptar, e zhduku fenë. Por liberalizmi e thotë të kundërtën, pra ku çdo individ të gëzojë të drejtën e tij në gjithçka dhe shteti atë duhet ta mbrojë, ta garantojë dhe ta promovojë.
Ky është në mision fisnik, sepse siç thashë më sipër idetë e tilla nuk përfshijnë vetëm deklarata dhe ide në letër, por kanë mijëra faqe që shpjegojnë se çfarë duhet bërë me varfërinë, sëmundjet, diskriminimin dhe injorancën. Kjo do të përkthehej në masa për punësim, sepse pa mirëqënie njeriu nuk mund të jetë vetvetja dhe të shprehë individualitet, e si rrjedhojë dominohet lehtë. Politikat e tilla do të nënkuptonin masa për shëndetësinë, sepse shëndetësia nuk do të duhej të ishte luks . Thelbësorja, shteti do të duhej të garantonte mosdiskriminimin, në çfarë do lloj baze, sigurisht, etnike, racore, gjuhësore dhe po jemi shekulli 21, edhe atë seksuale. Dhe shteti jo që duhet të luftojë injorancën, por do të duhet të marrë masa monumentale për shkollimin cilësor, pa të cilin asnjë individ nuk mund të shprehë potencialin e tij të plotë. Në esencë të këtyre ideve është mundësia të jesh dhe të ndjehesh i barabartë në hapësirën ku jetët e secilit ndeshen me të tjerët, e ku minimalisht duhet të ketë respekt për të ndryshmen e tjetrit.
Këto janë koncepte fundamentale mbi të cilat duhet të ndërtohet shoqëria jonë, e sidomos në Maqedoninë e Veriut, ku e ndryshmja është prezencë konstante. Është shqetësuese tentativa e nxitjes së dominancës, në fakt të gjitha lëvizjet progresive kanë filluar kur trysnitë kanë qenë evidente. E shohim tentativën për dominancë në retorikën politike të artikuluar në disa raste edhe në çështje etnike por edhe fetare, por konteksti dhe zhvillimi i përgjithshëm se përballon më një situatë të tillë.
Në të kundërt do të mbesim peng i banalitetit ku ndihmuar nga rrjetet sociale gjithçka shndërrohet në ofendim e esenca e ofertave politike zhduket. Në një sekuencë të tillë prandaj dominojnë retorika populiste, si gjuha, kombi, feja të cilat në hapësirën tonë të përbashkët të gjitha do të duhet të jenë të barabarta, dhe ku shteti të jetë garancë për t’i mbrojtur këto shprehje të lira.
Pyetjet që duhen shtruar më tej, e që lidhen me ofertën politike, duhet të jenë, se si do të garantohen këto liri, Si do të zhvillohet shoqëria? Mungesa e debateve për këtë përgjigje, sjell veç kakofoni të tipit, shqiptar – maqedon, shqip – maqedonisht, fetar – jo fetar, e jo esencën e cila është: Unë mund të jem ç’të dua dhe shteti duhet të garantojë barazi! Nëse partitë se artikulojnë dot këtë kërkesë e koncept, apo dhe kritikën ndaj keqqeverisjes dhe ofertën sfiduese, atëherë kemi problem serioz se si shikohet pushteti, por ky më do i kalojë një diskutimi tjetër, një herë tjetër.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)