Shkup, 9 shkurt – Eurokomisari për zgjerim Johanes Han pasdite në Shkup i filloi takimet me liderët e partive politike në Kuvendin e Maqedonisë, ku pritet të bëhet fjalë për gjendjen politike aktuale në vend dhe për bisedimet për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar. Takimi i parë i Hanit është me liderin e Lëvizjes Besa, Billal Kasami, pas çfarë pasojnë takimet me Zijadin Selën nga Aleanca për Shqiptarët, me Menduh Thaçin nga PDSH, me Ali Ahmetin nga BDI, me Zoran Zaevin nga LSDM, ndërsa i fundit sipas paralajmërimeve do të jetë takimi me liderin e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevskin. Në konferencë për shtyp që u mbajt pasdite pas takimit ministror për Ballkanin Perëndimor organizator i të cilit ishte MPJ e Maqedonisë, Han deklaroi se ka ardhur në Shkup t’i dëgjojë liderët e partive politike dhe të përcjellë porosi se pas zgjedhjeve të zbatuara hap i ardhshëm është formimi i qeverisë me bazë të gjerë solide kushtuar axhendës së BE-së. “Është me rëndësi që qeveria e re të formohet në bazë të gjerë solide dhe ta ndjekë perspektivën evropiane. Nuk do t’i japim këshilla cilësdo parti si më tej të vazhdojë me aktivitetet e veta, por të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë personale”, tha Han në konferencën për shtyp. Eurokomisari Han aktivitetet i filloi sot në mëngjes me takimin me kryeministrin Emil Dimitriev ku më pas në Qeverinë e RM-së mori pjesë në takimin e ministrave të energjetikës.