Bruksel, 15 janar – Eurokomisari për Zgjerim Johanes Han, i ka ofruar Beogradit dhe Prishtinës që të ndërmjetësojë kontestin tregtar midis këtyre dy vendeve me qëllim që të zhbllokohet Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, raporton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Në intervistë për MIA-n , Hani thotë se “për fat të keq” dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës “ka ngecur për shkak të çështjes me doganat”.
Prishtina para disa muajve vendosi që t’i rrisë taksat importuese të produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina për një qind për qind, duke ndaluar në këtë mënyrë de fakto dialogun i cili duhet që të normalizojë marrëdhëniet dhe të cilin e ndërmjetëson përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Federika Mogerini.
“I ofrova shërbimet e mia për ndërmjetësimin në marrëveshje lidhur me çështjet tregtare, por ende nuk kam marrë një përgjigje pozitive, veçanërisht nga Prishtina, për këtë propozim”, tha Han në intervistën për MIA-n.
Propozimi i tij, siç thotë, nuk ka për qëllim që të shtohet në dialogun ekzistues por të ballafaqohen me çështjet tregtare veçanërisht në formatin special “nën lidershipin e të dy kryeministrave dhe me të cilët ne do të ndërmjetësojmë që të gjejmë zgjidhje vetëm për çështjen tregtare, e cila do të duhet që të hapë rrugën drejt kthimit në tryezën e negociatave”, deklaroi Han.
Edhe përkundër dialogut të ngadalësuar, komisari është optimist se mundet që të zhbllokohet nëse ekziston vullnet politik.
“Definitivisht kemi ngadalësim por nëse të dyja palët janë të përkushtuara dhe të gatshme ende mundet që dialogu të kompletohet gjatë mandatit tonë”, deklaroi ai.
Mandati i këtij Komisioni Evropian përfundon nga fundi i këtij viti.