Kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë kumtoi se me ftesë të përfaqësuesve të lartë të BE-së dhe të Parlamentit Evropian, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi sot është në Bruksel në vizitën e tij të parë zyrtare në selinë e Bashkimit Evropian. Sipas agjendës të publikuar nga kabineti i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Xhaferi do të takohet me komisarin për politikë të mirë fqinjësore dhe zgjerim Johanes Han, me përfaqësuesen e Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian Federika Mogerini, me kryetarin e PE-së Antonio Tajani, si dhe me eurodeputetët Ivo Vajgëll, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn.
Siç theksohet në kumtesë, në takimet Xhaferi edhe njëherë do ta riafirmojë përcaktimin e Maqedonisë për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian dhe rolin e Parlamentit në ato procese. “Gjithashtu kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Talat Xhaferi do t’i njoftojë bashkëbiseduesit me situatat te ne, me theks të veçantë në vazhdimin e procesit të formimit të qeverisë së re si shprehje e shumicës parlamentare, e cila rrjedh nga dëshira e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë të shprehur në zgjedhjet parlamentare në muajin dhjetor të vitit të kaluar”, theksohet në kumtesën e kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.