Shkup, 18 prill – Vendi dhe qytetarët e merituan rekomandimin e pakushtëzuar. Anëtaret e BE-së e njohën punën e realizuar. Këtu jam që t’i paralajmëroj lajmet e mira të shumëpritura, për ta shënuar suksesin pas angazhimeve të gjata për tejkalimin e krizës, theksoi eurokomisari Han në dorëzimin e Raportit të KE-së për progresin e Maqedonisë, kryeministrit Zoran Zaev.
“Vendi kaloi nëpër një rrugë të gjatë edhe krahas sfidave të shumta dhe tani ndodhet fuqishëm në rrugën evropiane. Ka ndryshim pozitiv, është ripërtërirë ndjenja e transparencës, energjisë dhe shpresës. Ndjehen vibrimet e mira në vend dhe kjo duhet të shpërblehet”, thotë Han.
Theksoi se Maqedonia është shembull për ndryshime demokratike në rajon dhe se është i impresionuar nga ajo që është realizuar lidhur me prioritetet reformuese urgjente.
“Sinqerisht u uroj Juve, Qeverisë, Parlamentit dhe opozitës për mbështetjen e këtij qëllimi kombëtar”, tha Han në konferencën e përbashkët për shtyp me Zaevin.
E përgëzoi opozitën për arsye se, siç tha, edhe ajo ka kontribuar në drejtim të realizimit të këtij qëllimi strategjik të vendit dhe porositi se pasi është kthyer në Parlament prej saj pret debat të plotë dhe konstruktiv për reformat.
Porositi se reformat nuk duhet të ndalen këtu, por të vazhdojnë, veçanërisht në gjyqësi.
“Edhe krahas sfidave të rënda vendi arriti të dalë nga kriza e thellë politike. Reformat zbatohen në mënyrë të hapur dhe transparente, por është e nevojshme të ruhet ky drejtim pozitiv. Duhet vazhduar, veçanërisht në sferat më të rëndësishme, siç është pavarësia e gjyqësisë. Megjithatë reformat nuk nënkuptojnë vetëm sjelljen e ligjeve, por edhe implementimin e tyre”, porositi eurokomisari Han.
Shtoi se Maqedonia mund të bëhet shembull në rajon nëse vazhdon me përkushtim të punojë në implementimin e asaj që është miratuar, me të cilën, siç tha, “do të hyjmë në fazën e ardhshme të marrëdhënies tonë”.
Theksoi se vendi me politikën që po bën ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin në rajon, me ç’rast marrëveshjen me Bullgarinë e vlerësoi si nismë mjaft pozitive dhe shtoi se tërësisht e mbështet procesin e negociatave midis Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e emrit.
Kryeministri Zaev tha se marrja e rekomandimit të pastër është një motiv i fortë për arritjen e objektivit të vështirë, por të arritshëm – fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
“Do të punojmë edhe më energjikisht që në qershor të marrim datën për negociatat. Vazhdojmë me reformat thelbësore edhe pas Planin 3-6-9 do të konfirmojmë një plan të ri të reformave, theksoi Zaev.
Mbi bazën e raportit të KE-së, siç informoi, do të konfirmohet një plan i ri për dinamikën e reformave deri në fund të vitit 2018, i cili me siguri do të lidhet me implementimin e asaj që është miratuar deri tani.
Ai i falënderoi vendet e BE-së që e përkrahën Maqedoninë si dhe qytetarët e Maqedonisë dhe OJQ sektorin dhe të gjithë faktorët e tjerë për përpjekjet e përbashkëta.
“KE-ja e ka vlerësuar atë që është punuar. Në dy raportet e kaluara për shkak të krizës politike dhe shtetit të robëruar, rekomandimet ishin suspenduar dhe shteti ishte kushtëzuar me reforma dhe ambient demokratik. Sivjet rekomandimi i pastër është i pakushtëzuar Maqedonia e përmbushi kriterin bazë demokratik për fillimin e negociatave”, tha Zaev.
Ai theksoi se integrimi në BE do të nënkuptojë një klimë më të mirë biznesi, paga më të larta dhe jetë më të mirë.
“Anëtarësimi në BE dhe në NATO nënkupton edhe një klimë më të mirë biznesi dhe paga më të larta dhe jetë më të mirë. Plani 3-6-9 i përfshiu prioritetet urgjente reformuese, përmes politikave konstruktive të Qeverisë dhe me inkuadrimin e opozitës në këto procese sollëm vendime të rëndësishme ligjore dhe një administratë efektive. Do të mundësojmë edhe media profesionale dhe legjislacion të besueshëm zgjedhor”, deklaroi Zaev.
Ai theksoi se do të punojë edhe në sigurimin e konsensusit të gjerë civil për zgjidhjen e kontestit me Greqinë për emrin.
“Ne jemi vend mik, kemi kulturë evropiane, të kaluar evropiane, të ardhme evropiane dhe mundet që të jemi vetëm një vlerë e shtuar pozitive në të gjitha këto vlera dhe perspektiva të bukura evropiane, që gjithmonë i kemi dërguar si mesazh kontinenteve të tjera për vlerën e Evropës”, tha kryeministri.
Eurokomisari Han gjatë qëndrimit në Shkup do të takohet me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferin dhe me liderin e VMRO-DPMNE-së Kristijan Mickoskin.