Shkup, 28 qershor – Euro-komisari për Zgjerim, Johanes Han kërkon nga qytetarët e vendit të jenë të kënaqur me rekomandimin e kushtëzuar dhe të vazhdojnë të punojnë derisa t’i bindin tre shtetet skeptike, Francën, Holandën e Danimarkën, për mbështetje. Han në një intervistë për REL, theksoi se pas dritës jeshile nga Këshilli Evropian, procesi kalon në kompetenca të Komisionit Evropian i cili madje ka filluar përgatitjet për procesin “screening”.
Qytetarët e Maqedonisë së ardhshme të Veriut dhe qytetarët e Shqipërisë në këtë duhet të shikojnë nga një perspektivë shumë pozitive. Nuk do të thosha gotë gjysmë e mbushur, por gotë thuajse 90% e mbushur se shumicë e madhe e vendeve anëtare i njohën të gjitha të arriturat e tyre dhe duhet të kuptohet se ky është përkushtim shumë i fuqishëm i liderëve politik, gjithashtu edhe nga qytetarët për vendosshmërinë në lidhje me perspektivën e tyre evropiane. Dhe kjo është mundësi e mirë të binden tre anëtaret se qasja e tyre më skeptike ndaj këtyre shteteve nuk është e arsyeshme deklaroi Johanes Han, eurokomisari për Fqinjësi të Mirë dhe Zgjerim të Evropës.
Edhe Ministri i Jashtëm gjerman, Majkëll Rot thekson se Maqedonia ka shumë punë për të bërë deri në anëtarësim të plotë në BE.
Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë një hap të madh përpara në rrugën drejt BE-së dhe miqtë tanë veri-maqedonas dhe shqiptarë mund të jenë shumë krenarë për këtë. Ata arritën shumë, kryen shumë reforma, por natyrisht mbetet shumë për t’u bërë. Dhe ura që kemi ndërtuar deri në qershor të vitit të ardhshëm duhet të jetë aq e qëndrueshme sa të kenë sukses ta kalojnë në drejtim të negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian – deklaroi Majkëll Rot, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.
Në intervistën e fundit për DË, Rot u bëri apel të gjithë liderëve politik në vend që të kuptojnë përgjegjësinë historike që kanë për zbatimin e Marrëveshjes për emrin, sepse sipas tij, pavarësisht sa dhemb, kompromisi është çelësi për në BE dhe NATO./Alsat/