Han “plotësisht i sigurt” se kontesti me emrin do të zgjidhet deri në korrik

Sofje, 16 shkurt  – Bashkimi Evropian është “plotësisht i sigurt” se Maqedonia do ta zgjidhë kontestin shumëvjeçar për emrin me Greqinë para korrikut, deklaroi në Sofje eurokomisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johanas Han.

I pyetur nëse kontesti do të zgjidhet deri në fund të kryesimit bullgar, që përfundon në qershor, han u përgjigj se është “plotësisht i sigurt për këtë”.

Ai sot në Sofje mori pjesë në takimin e ministrave të punëve të jashtme të vendeve të BE-së dhe vendet kandidate.

Pritjet se kontesti për emrin do të zgjidhet dhe Maqedonia gjatë kryesimit bullgar do të marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në, tha edhe ministrja bullgare Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva. Ajo shpreson se në takimin e Këshillit Evropian në qershor do të merret vendim për hapjen e negociatave me Maqedoninë.

“Duke e marrë parasysh zhvillimin e ngjarjeve dhe bisedimeve të cilat janë në vijim, mendoj se ka shans të madh kjo të ndodhë”, tha Zaharieva në konferencë për shtyp pas takimit në Sofje.

Për kontestin midis Shkupit dhe Athinës për emrin, Zaharieva tha se sheh vullnet politik te qeveritë e të dy vendeve për gjetjen e zgjidhjes së përhershme.