Shkup, 9 shkurt – Është e rëndësishme që Qeveria e re të formohet në bazë solide dhe të gjerë, deklaroi sot eurokomisari për zgjerim Johanes Han në konferencën për shtyp pas Takimit ministror për Ballkanin Perëndimor që u mbajt në MPJ-në e Maqedonisë. Ai potencoi se në Shkup ka ardhur t’i dëgjojë liderët e partive politike dhe se mesazhi i tij është se vendi ka arritur shumë, por që hap i ardhshëm është formimi i qeverisë. Theksoi se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre dhe interesat e shtetit. “Unë nuk do të japë kurrfarë propozimesh. Vendimin përfundimtar duhet ta sjellin politikanët në këtë vend dhe se kjo është shumë e rëndësishme. Ndoshta rezultati nga zgjedhjet e befasoi dikë, por tani duhet të formohet qeveri, ndërsa vendimet demokratike duhet t’i respektojnë të gjithë partitë politike”, deklaroi Han. Eurokomisari Han pasdite duhet të takohet me liderët e partive politike që janë të përfaqësuara në Parlamentin e Maqedonisë. Ai duhet të ketë takime të ndara me liderët e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, i LSDM-së Zoran Zaev, BDI-së Ali Ahmeti, i Besës Bilall Kasami dhe me Ziadin Selën nga Aleanca për Shqiptarët. Në takimet pritet të bisedohet për situatën aktuale politike në vend dhe për bisedimet për formim të qeverisë pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit. Aktivitetet e eurokomisarit filluan në mëngjes me takim me kryeministrin Emil Dimitriev me ç’rast Qeveria e Maqedonisë mori pjesë edhe në takimin e ministrave të energjetikës nga Ballkani Perëndimor.