“Filluan takimet. Urgjentisht nevojitet qeveria e re që të zbatojë reforma. Nuk ka kohë për të humbur! Rruga evropiane është e hapur për Shkupin pas Këshillit të fundit të BE-së, por koha po ikën. Nevojitet lidership në vend të taktizimit. Ekonomia po pëson”, shkroi në Tuiter, eurokomisari për zgjerim Johanes Han, pas takimit të parë në Kuvendin e Maqedonisë me liderin e Besës, Bilall Kasami.
Pas Kasamit. Han dhe tre eurodeputetët Ivo Vajgëll, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn, takohen me liderët e Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela, pas së cilës duhet të kenë takime të ndara edhe me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, të LSDM-së Zoran Zaev dhe të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski. Presidenti Gjorge Ivanov, siç informuan nga kabineti i tij, nuk do të takohet me Hanin.
Eurokomisari dhe treshja e eurodeputetëve erdhën në Shkup për edhe në një tentim për marrëveshje për dalje nga kriza politike në të cilën është vendi një periudhë të gjatë.
Sipas paralajmërimeve nga KE në prag të vizitës, pritet Han, Vajgëll, Kukan dhe Flekenshtajn, ta përsërisin pozicionin e BE-së për respektimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe të lejohet vazhdim i proceseve demokratike me formim të shpejtë të qeverisë reformuese, e cila do të vazhdojë me implementimin e marrëveshjes së Përzhinës. Pritet pas takimeve të sotme Han ta informojë opinionin për bisedimet me liderët politikë dhe për pozicionin e BE-së.