Pas shqetësimit të madh të Brukselit ditëve të fundit për fatin e zhvillimit të reformave të mëtejme në Maqedoninë e Veriut, si dhe për shkak të ndërlikimit serioz të situatës politike në këtë vend, që pret datën e negociatave me BE-në më së voni deri në tetor të këtij viti, Han do të qëndrojë në Shkup
Destan JONUZI
Shkup, 20 korrik – Javën e ardhshme, në Shkup do të qëndrojë për vizitë eurokomisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, ndërsa nga Shkupi më 25 dhe 26 korrik do të udhëtojë për vizitë në Serbi. Siç raportohet, Han vjen për ta shqyrtuar situatën aktuale politike në rajon. Analistët politik thonë se vizita e Hanit në Maqedoni do të fokusohet kryesisht në zhvillimin e reformave të mëtejme, për shkak të ndërlikimit serioz të situatës politike, shkruan në numrin e sotëm gazeta KOHA.
“Pas shqetësimit të madh të Brukselit ditëve të fundit për fatin e zhvillimit të reformave të mëtejme në Maqedoninë e Veriut, për shkak të ndërlikimit serioz të situatës politike në këtë vend, që pret datën e negociatave me BE-në më së voni deri në tetor të këtij viti, Han do të qëndrojë në Shkup sa për të informuar për momentin delikat nëpër të cilin po kalon ky vend, aq edhe për t’i dhënë shtysë pushtetit aktual që të mos ndal luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi për gazetën KOHA, Ismail Arsllani, njohës i çështjeve politike. Sipas tij, eurokomisari Han do të kërkojë nga partitë opozitare, shqiptare e maqedonase, sidomos nga VMRO-DPMNE, të bashkëpunojë në këtë rrafsh dhe të mos bëjë obstruksione sikur deri më tash.
“Kryeministri Zaev do të ketë mbështetje të plotë nga instancat e BE-së në këtë luftë kundër mafies që nxori krye së fundmi, pasi ishte mbështetur për muri, si dhe pritet të japë disa garanci në këtë aspekt. Zyrat e vendosjes politike në Bruksel kanë më shumë informata për organizimin e këtij grupimi kriminel të ‘Shantazhit’, që sipas të gjitha gjasave, ka funksionuar në koalicion me aktorë edhe të pushtetit, sikundër edhe me disa persona kyç të udhëheqjes të opozitës më të madhe maqedonase, me qëllim të zhbërjes së PSP-së dhe me këtë – edhe të vënies ad-akta të lëndëve të saj, apo të zvarritjes dhe skadimit të procedurave”, thekson Arsllani.
Nga ana tjetër, ish-deputeti Zudi Xhelili thekson se gjatë vizitës në Shkup, euro-komisari Han do të inkurajojë faktorët politik që të vazhdojnë të punojnë në zbatimin e reformave. “Maqedonia e Veriut është vendi aspirant për anëtarësim në BE. Marrëveshja e Prespës vendit i hapi rrugën për negociata dhe pritshmërit ishin se në muajin qershor mund të caktohet data për bisedime. Meqenëse kjo nuk ndodhi dhe u la si mundësi muaji tetor për një gjë të tillë, kjo le të kuptojmë nëse vendi i ka plotësuar detyrimet, respektivisht zbatimin e reformave që janë kusht për anëtarësim. Vizita e euro-komisarit Han me siguri ka të bëj me inkurajimin e faktorëve politik që të vazhdojnë të punojnë në zbatimin e reformave, sidomos bashkëpunimit opozitë – pushtet për të arritur kompromise të caktuara. Vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Maqedonia e Veriut duhet seriozisht të angazhohet për integrimin e vendit në BE, është shans historike që nuk guxon të lëshohet nga dora”, deklaroi për gazetën KOHA, Zudi Xhelili, ish-deputet. Ai vlerëson se ka ngecje në reforma, sidomos në drejtësi dhe sistemin zgjedhor. Një tjetër problem tepër serioz është edhe çështja e fatit të PSP-së, sidomos pas zhvillimeve të fundit. (koha.mk)