Shkup, 10 korrik – Shefi i Diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov nga Samiti për Ballkanin Perëndimor në Londër tha se Maqedonia së bashku me Shqipërinë meritojnë fillimin e negociatave euro-integruese. I pyetur për referendumin në lidhje me çështjen e emrit, gjë e cila e tangon Maqedoninë në rrugëtimin euro-atlantik, Dimitrov tha se është optimist në orientimin pozitiv të qytetarëve, duke i bërë nga Londra thirrje opozitës, që të reflektojnë pozitivisht gjithashtu.
Qytetarët e BE-së duhet ta kuptojnë se procesi i zgjerimit mund të na transformojë. Ne bëjmë gabime, por gjithashtu edhe i përmirësojmë gabimet. Procesi i inkuadrimit është mundësi për transformimin e shoqërive. Edhe pse dëshirojmë afate, data, më e rëndësishme është të kemi datë të saktë dhe vendet tona t’i bëjmë evropiane. Nëse nesër bashkohemi Maqedonia të jetë vend i njëjtë, na nevojitet procesi i inkuadrimit si vegël për transformim. Besoj se njerëzit në Maqedoni më herët kanë bërë zgjedhje të mençura për udhëkryqe të tilla historike. Më mirë është opozita më shumë të mendojë në vendin sesa në karrierën e saj politike, por të gjithë do të piqemi në këtë proces – deklaroi Nikolla Dimitrov – Ministri i Punëve të Jashtme.
Euro-komisionari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Hahn tha se bisedimet nuk mund të fillojnë menjëherë pasi që ky proces kërkon një periudhë kohore të caktuar mbi përgatitjen e rrethanave të nevojshme. Ai paralajmëroi se nga java e ardhshme do të nis procesi i Screening-ut që përbën fazë përgatitore për hapjen e negociatave. Han theksoi se referendumi është zgjedhje e lirë e qytetarëve dhe jo situatë në të cilën diçka u imponohet dhe shtoi se nëse vendi i plotëson kushtet, vendet-kandidate obligohen të reagojnë në mënyrë pozitive
Ne mund t’i hapnim negociatat nesër, por na duhet të përgatitemi. Dhe kjo është detyra jonë për vitin që vjen. Ne duhet të kemi një proces ekzaminimi gjithëpërfshirës dhe unë do të jem në Tiranë dhe në Shkup gjatë javës së ardhshme për të lancuar nisjen e këtij procesi. Kjo është një provë mjaft e rëndësishme pasi do të tregojë se sa të vendosura janë këto dy vende në fjalë kundrejt anëtarësimit. Do të varet nga ky proces nëse ne do të shkojmë në fazën tjetër në mes të vitit të ardhshëm. Sa më shumë të bëhet në këtë proces, aq më shumë do jetë bërë për negociatat – deklaroi Johannes Hahn -Eurokomisari për zgjerim.
Në Londër për të dytën ditë me radhë po vazhdon të qëndroj delegacioni qeveritarë i udhëhequr nga kryeministri Zaev, i cili sot zhvilloi takime me ish sekretarin e NATO-s Lordi Xhorxh Robertson. Ky i fundit tha që Maqedonia nuk do kishte ecur kaq shumë, po të mos ishin zbatuar reformat. Në Samitin e Londrës për Ballkanin Perëndimor, BE-ja po vazhdon të forcojë bashkëpunimin me rajonin, me një përkushtim të qartë dhe masa konkrete, duke u fokusuar në tre fushat kyçe të bashkëpunimit ekonomi, siguri dhe pajtim.Alsat