Beograd, 18 korrik – Eurokomisari për zgjerim, Johanes Han më 25 dhe 26 korrik do ta vizitojë Beogradin, ku me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq do të bisedojnë për proceset reformuese në Serbi dhe për çështje rajonale.
“Komisari Han në Beograd do të takohet me kryetarin dhe kryeministren e Serbisë, me të cilët do të bisedojë rreth reformave të cilat i zbaton Serbia në rrugën drejt BE-së si edhe për çështjet rajonale”, deklaroi zëdhënësi i BE-së.
Në Komisionin Evropian shtojnë se komisari Johanes Han në Beograd do të vijë drejtpërdrejt nga Shkupi, ku do të takohet me përfaqësues të pushtetit dhe opozitës.
Muajin e kaluar me rastin e hapjes së kapitullit të ri në negociatat për inkuadrim, Han i bëri thirrje Serbisë ta përshpejtojë procesin e reformave dhe me vendosmëri më të madhe të punojë në qeverisjen e së drejtës, të drejtat fundamentale dhe udhëheqjen demokratike.
Komisari Han i cili u përfshi në zhbllokimin e dialogut Beograd – Prishtinë paralajmëroi se në korrik do të përpiqet sërish t’i motivojë liderët e të dyja palëve që të kthehen në tryezën negociuese.
“Kjo nuk është detyrë e lehtë dhe nevojitet guxim politik të punohet ndaj kompromisit. Duhet ta dimë se cilat janë pasojat pozitive ndërsa pasojat pozitive mund të jenë perspektiva evropiane”, deklaroi Han.