Komisari për zgjerim Johanes Han për MIA thotë se beson që nëse zbatohen reformat, BE në qershor do të pajtohet negociatat të fillojnë që këtë vit, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Komisari i angazhuar për zgjerimin në BE edhe njëherë e përshëndeti nënshkrimin e protokollit qasës për NATO-n dhe zgjidhjen e emrit me Greqinë si “faktor vendosës drejt integrimit euroatlantik” në siç e quajti “Maqedonia e ardhshme Veriore”.
“I duartrokas të gjithë liderët politik të involvuar. Ky është edhe një vendim historik i arritur nga ana e liderëve në vend, integrimi në NATO i Maqedonisë së ardhshme të Veriut do të sjell siguri dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor në tërësi”, ka thënë Han për MIA.
Edhe pse të dy proceset janë të ndryshëm dhe të ndarë, me kushte specifike për të dyja organizatat, për komisarin për zgjerim procesi i BE-së dhe NATO-s paralelisht sjellin më shumë stabilitet dhe paqe dhe bazohen në parimet e njëjta si sundimi i të drejtës dhe demokracisë.
“Marrëveshja e Prespës, e cila hapi rrugën drejt nënshkrimit të Protokollit të NATO-s poashtu është një hap drejt integrimit në BE, pasi strategjia jonë për Ballkanin perëndimor vitin e kaluar e definon pajtimin dhe fqinjësinë e mirë si kusht qendror të qasjes në BE”, ka thënë komisari Han.
Ai është i bindur se shtetet anëtare në qershor “do të vlerësojnë këtë sukses të madh”.
“Kuptohet se duhet të ketë progres të dukshëm në zbatimin e agjendës reformuese në të cilën duhet të fokusohen gjitha përpjekjet. Nëse suksesi historik i Marrëveshjes së Prespës është i shoqëruar nga reforma solide, sa shoh Qeveria synon të arrijë këtë, jam i bindur se shtetet anëtare do të japin dritë të gjelbër për hapjen e negociatave që këtë vit. Në pyetje është edhe kredibiliteti i BE-së, pasi nëse shtetet kandidate i përmbushin, atëherë edhe ne patjetër t’i përmbushim premtimet tona”, ka thënë për MIA, komisari për zgjerim Johanes Han.(koha.mk)