Eurokomisari Johanes Han pas Këshillit të ministrave të BE-së në të cilin u caktua data e kushtëzuar për fillim të negociatave me Maqedoninë porositi se ky vendim nënkupton se Komisioni Evropian nga nesër mund ta fillojë procesin e skriningut, lajmëron korrespodenti i MIA-s.
“I uroj qytetarët e Maqedonisë së ardhshme të Veriut për sukseset e sotme, sepse tani është e qartë se do t’i fillojmë negociatat në qershor të vitit të ardhshëm dhe si Komision menjëherë mund të fillojmë t’i përgatisim bisedimet duke filluar nga nesër, kjo tani është perspektivë e qartë dhe shpërblim i qartë”, thotë Han.
Maqedonia sot pas betejës së ashpër ndërmjet 25 vendeve anëtare kundër Holandës, Francës dhe Danimarkës, mori dritë të gjelbër për datë për fillim të bisedimeve në qershor, nën kushte të caktuara.
Komisioni Evropian do të duhet të prodhojë raport të përqendruar në tre tema kryesore të administratës publike, reforma të shërbimeve kundërzbuluese, si dhe reformat gjyqësore dhe lufta kundër korrupsionit. Në bazë të këtyre kushteve Maqedonia do të mund ta mbajë konferencën ndërqeveritare deri në fund të vitit 2019.
“Këshilli pranon të përgjigjet pozitivisht në progresin e bërë në prioritetet urgjente reformuese, Marrëveshjen e Përzhinës dhe Marrëveshjen me Greqinë dhe e hap rrugën drejt hapjes së fillimit të bisedimeve në qershor të vitit 2019. Më këtë pikëpamje, Këshilli e nënvizon nevojën kritike për IRJM që të vazhdojë të bëjë progres konkret në prioritetet urgjente reformuese dhe të realizojë rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe ta mbajë momentin reformues. Këshilli e fton Komisionin Evropian që nga afër t’i monitorojë orvatjet e lartpërmendura të IRJM-së dhe do ta vlerësojë progresin në bazë të raportit vjetor. Këshilli përkujton se vendimi do të jetë lëndë e kompletimit nga procedurat nacionale parlamentare dhe përmirësim nga ana e Këshillit Evropian, që së shpejti do të përcillet nga konferenca e parë ndërqeveritare, varësisht nga progresi”, shkruan në konkluzionin e Këshillit të ministrave.
Në konkluzionin shtohet se vlerësimi i këtij progresi duhet të sjellë rezultate të qëndrueshme në këto fusha: reforma gjyqësore, akuza dhe gjykime për korrupsion dhe krim të organizuar në nivel të lartë, reformë në shërbimet e inteligjencës dhe reformë në administratën publike.
Këshilli e shënoi qëllimin e Komisionit Evropian që të fillojnë me përgatitjet për punë.