Luksemburg, 17 qershor – Eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së t’i hapin negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt që është e mundur.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve para fillimit të Këshillit për punë të jashtme të BE-së në Luksemburg, komisari Han theksoi se vendet anëtare ende po negociojnë në këtë temë.
“Mund vetëm të përsëris se duhet të hapen sa më shpejtë që është e mundur sepse kanë bërë gjithçka, nuk është vetëm një sinjal për Maqedoninë e Veriut, por për tërë rajonin”, porositi Han para takimit.
Komisari vlerëson se mos dhënia e datës për negociata për një afat sa më të shkurtër të mundshëm për Maqedoninë mund të ndikojë ndaj dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse i hapim sërish negociatat me Kosovën dhe Serbinë, ato duhet të shohin se investimi në gjetjen e kompromisit politik po shpërblehet, përndryshe nuk do të ketë motivim, mendoj se është shumë me rëndësi që njerëzit të kuptojnë sa është me rëndësi t’i jepet sinjal një vendi në interes të tërë rajonit”, ka thënë Jonahes Han.
Tani për tani projekt-konkludimet e BE-së, parashikohet shtatori i vitit 2019 si datë për negociata për Shqipërinë dhe Maqedoninë, por kjo është e mjaftueshme sipas Hanit.
“Nuk e dua fjalën kompromis në këtë kontekst, kjo është diçka që duhet ta pranoj. Propozimi im ishte se çdoherë kur një vend realizon dhe ne duhet të dorëzojmë, prandaj çdo shtyrje sjell rrezik, ndërsa unë nuk dua të ketë rrezik atje ku është e panevojshme”, deklaroi komisari Han.
I pyetur se cili është mesazhi i tij deri tek Franca dhe Holanda, të cilët kanë rezistencë më të madhe ndaj hapjes së negociatave me Shkupin dhe Tiranën, Han u bëri thirrje ta kenë në mendje situatën rajonale në tërësi.
“Një vend ka investuar shumë në perspektivën e saj evropiane, liderët kanë treguar guxim dhe udhëheqësi dhe nëse nuk e shpërblejmë ne humbim përgjegjësi dhe kredibilitet, si dhe ndikim, gjithçka që kemi investuar në vitet e fundit është në rrezik nëse nuk i përmbahemi premtimeve tona”, paralajmëroi Han.