Bruksel, 12 korrik – Eurokomisari aktual për zgjerim dhe politikë fqinje, Johanes Han, u emërua prej Qeverisë austriake për edhe një mandat në përbërjen e re të Komisionit Evropian.
Çdo vend anëtar i Bashkimit Evropian e emëroi një kandidat për eurokomisar i cili më pas duhet të merret në pyetje dhe të konfirmohet prej Parlamentit Evropian.
Kancelarja austriake dje zyrtarisht e nominoi Johans Hanin për edhe një mandat. Nëse Parlamenti e konfirmon, kjo do të jetë hera e tretë me radhë Johanes Han të jetë komisar evropian.
Austriaku ishte komisar për politikë rajonale në Komisionin e dytë të Zhoze Manuel Baroso dhe komisar për negociatat për zgjerim dhe politikë fqinje në Komisionin e Zhan Klod Junker, mandati i së cilit skadon më një nëntor.
Tani për tani nuk janë të njohura portfoliot e komisarëve të ardhshëm, ky do të jetë rezultat i negociatave politike midis vendeve anëtare, por thuajse është e sigurt se nuk do të merret sërish me zgjerimin.
Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, për zgjerim ka shprehur interesim të madh Hungaria. Kandidati hungarez pritet të jetë Laslo Troshanji, ministër i Drejtësisë në largim në Qeverinë e Viktor Orbanit. Emërimi i tij megjithatë nuk do të thotë se automatikisht do të pranohet, duke e pasur parasysh atë se eurodeputetët duhet paraprakisht ta miratojnë pas një audicioni.