Vjenë, 30 korrik – Nuk është fshehtësi se vendet anëtare të BE-së favorizojnë më shumë Maqedoninë e Veriut se sa Shqipërinë kur bëhet fjalë për dhënien e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim, thotë eurokomisari për Politikë Fqinjësore dhe Zgjerim në largim Johanes Han në një intervistë për “Standardin” austriak.
“Ende punojmë që të dyja vendet të fillojnë negociatat. Por, nuk është fshehtësi se disponimi mes vendeve anëtare të Maqedonisë së Veriut është thjeshtë më mirë. Të dyja vendet i përmbushën kriteret të cilat anëtaret e BE-së i kishin vendosur si kusht. Për këtë dhamë rekomandim për të dyja vendet. Por, Maqedonia e Veriut jo vetëm që i përmbushi reformat e kërkuara por edhe i arriti Marrëveshjen historike të Prespës dhe Marrëveshjen për Miqësi me Bullgarinë. Në Shqipëri, për fat të keq, në plan të parë u paraqitën probleme: opozitën nuk e kanë në Parlament, Qeveria ka probleme që ta ruajë dialogun dhe është ngritur procedurë për shkarkimin e Presidentit”, thotë Han.
Sipas Hanit, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka vepruar në mënyrë shembullore dhe ka bërë përpjekje që ta përfshijë opozitën. Përkujton se ka realizuar takime me liderin e opozitës dhe se ka bërë thirrje deri ta ai që të vazhdojë të tregojë qëndrim konstruktiv.
“Ata arritën që të zgjidhin konflikt politik të disa dekadave dhe treguan guxim të madh politik, sepse ky vendim nënkuptonte edhe rrezik të lartë personal dhe politik. Gjithsesi, kjo ka të bëjë edhe me anën greke, por veçanërisht për Maqedoninë e Veriut, ku opozita është kundër Marrëveshjes. Në fillim, vetëm 20 për qind të popullsisë e mbështeste Marrëveshjen e Prespës, ndërsa ajo që marrëveshja u soll është pasqyrim i udhëheqësisë së Qeverisë. Edhe kjo, gjithashtu, duhet të njihet dhe të shpërblehet në mënyrë adekuate. Ishte stimul për rajonin. Kur vitin e kaluar e nënshkruam Marrëveshjen e Prespës, sundonte disponimi që të arrihet marrëveshje edhe mes Serbisë dhe Kosovës. Për fat të keq, ky zhvillim pozitiv u ndërpre me vendosjen e taksës prej 100 për qind për produktet serbe në Kosovë. Zgjidhja e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë është me rëndësi të madhe për zhvillimin e gjithë rajonit”, thekson Hani.
Në intervistë, gazetari i “Standard” vëren se, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut, rajoni ende nuk e ka hequr gjuhën e urrejtjes dhe nacionalizmit, edhe pse ky është parakusht për zgjidhjen e konflikteve rajonale. Hani pajtohet me vlerësimin e tillë dhe thekson se pikërisht për këtë është me rëndësi që Maqedonia e Veriut të shpërblehet për të gjithë përpjekjet e saja.
“Qeveritë e tjera në rajon shumë mirë e dinë se rruga nëpër të cilën ecën Maqedonia e Veriut është e vërteta. Në shumë biseda ma kanë konfirmuar atë -por, sjelljen e kanë ndryshe. Në këtë kontekst, politikanët në Maqedoninë e Veriut janë shembull për vendosjen e trendit të ri. Kështu që, nëse Maqedonisë së Veriut i lejohet hapja e negociatave për anëtarësim në tetor, siç pres, atëherë shpresoj se kjo do të ndikojë pozitivisht në gjithë rajonin”, thotë eurokomisari.
Hani në intervistë flet edhe për atë se si Maqedonia e Veriut e ka tejkaluar statusin e “shtetit të robëruar”.
“Shembulli me Maqedoninë e Veriut tregon se ‘shteti i robëruar’ mund të tejkalohet, sepse partia në pushtet me qëllim zgjodhi qasje përfshirëse dhe ndërmori masa që ta ndajë shtetin nga interesat partiake. Ne i fillojmë dhe i përfundojmë negociatat për anëtarësim me secilin vend me kapitujt 23 dhe 24 për drejtësi dhe siguri. Kjo nënkupton se nuk ka anëtarësim nëse kriteret e vendosura në ato dy kapituj, siç është sundimi i së drejtës, liria e medieve, të drejtat themelore dhe gjyqësori i pavarur, nuk përmbushen”, tha Han.
I pyetur se a është i dëshpëruar nga prokurorja speciale e cila dha dorëheqje sepse dyshohet për korrupsion, Han thotë se zakonisht nuk komenton procedura të vilat vijojnë, por shfaq shpresë se hetimi do të zbatohet në mënyrë të pavarur dhe themelore.
“Fakti se reagohet menjëherë dhe se ka filluar hetimi është shenjë se gjyqësori punon. Qasja e Qeverisë për integrimin e PSP-së në Prokurorinë Publike të rregullt si repart i pavarur më duket si qasje e mirë dhe shpresoj se ligji do të miratohet sa më shpejtë”, nënvizon Han.
Han, i cili është eurokomisar për Zgjerim nga viti 2014, në intervistë konfirmon edhe së dëshiron të vazhdojë të udhëheqë me repartin për Zgjerim dhe Politikë të Mirë Fqinjësore. Ai thekson se tashmë ka biseduar me kryetaren e sapozgjedhur të Komisionit Evropian Fon der Lajen, por, nuk ka rënë fjala për zgjedhjen e tij për komisar. Ai përkujton se gjatë kohës së Komisionit të Junkerit kishte rotacione të komisarëve, por edhe se kjo mund të ndryshohet, ndërsa varet vetëm nga vendimi i kryetarit të Komisionit.
“Thashë se do të dëshiroja të mbetem në sferën e Politikës së Jashtme, sepse në ndërkohë fitova eksperiencë të cilën rrallë kush tjetër e posedon në nivel evropian. Askush tjetër nuk ka qenë në Ballkan aq gjatë. Unë u përqendrova në Ballkanin Perëndimor pikërisht për atë se ky rajon është me interes strategjik për Bashkimin Evropian dhe nuk është vetëm eksperienca ajo që është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, por gjithashtu edhe vlerat siç janë përvoja, rrjetëzimi dhe pranimi që të bëhen punët”, thotë eurokomisari Han në intervistën për “Standard”. (koha.mk)