Marek Hamshik i ka idetë e qarta për të ardhmen. Te Napoli, ka kaluar momente të mrekullueshme, por shiritin e kapitenit ndoshta nuk do ta mbajë shumë gjatë. Sllovaku e ka gjetur pasardhësin. Si fillim ai rrëfen tri momentet kulminante me këtë ekip.
“Tri momentet më të bukura të karrierës sime me fanellën e kaltër? Sigurisht mbërritja ime në Napoli, kur nuk e dija se çfarë më priste, kurse faktikisht ky qytet më bëri për vete me afeksionin dhe ngrohtësinë e tifozëve. Kurse më pas do të thosha fitorja e parë e Kupës së Italisë e festuar me përqafimin e qytetit dhe në fund, ndoshta rekordi i golave i Maradona-s, që u thye në vitin e shkuar”, deklaroi kapiteni i napoletanëve.
Sfida e radhës e kampionatit do të jetë ndaj Fiorentinës. Hamsik kujton sfidën e vitit të kaluar në “Franchi” të humbur me rezultatin 3-0. “Ngela pa fjalë, të bie gjithçka përsipër. Por kjo ndodh në jetë, duhet që të harrojmë gjithçka sa më shpejt të mundemi sepse na pret një tjetër betejë. Ëndrra është gjithnjë ajo e njëjta, e meriton qyteti”.
Më pas, ai u ndal te shiriti i kapitenit: “Ky është një grup i bukur, mund të bëjmë shumë gjëra. Kapiteni i së ardhmes? Shpresoj Insigne, është napolitan dhe një simbol këtu. Do të ishte bukur. Shiriti i kapitenit? Bruscolotti për titullin ia la shiritin kapitenit Maradona-s. Por ne atë nuk e kemi (qesh). Nëse Insigne ma siguron 100% titullin, do ia jepja shiritin (qesh). Ta mbyll karrierën këtu? Mund të ndodhë. Nuk mund ta them me siguri, por do të isha krenar” përfundoi Hamsik.