Shkup, 26 tetor – “Hamm-Let/ Studim mbi grykësinë” titullohet shfaqja që ngjitet sonte (ora 20.00) në skenën e Qendrës Kulturore Rinore, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit – Skupi Fest.
Me regji dhe tekst të formuluar nga Giorgia Cerruti, bazuar në veprat e disa dramaturgëve (Shakespear, Muller, Laforgue, Pasi, Moscato), kjo pjesë teatrale fillon nga e pashtershmja kryevepër e Shekspirit, duke kaluar pastaj përmes veprës Hamletmakina me gjuhën mizore të Hajnrih Miler-it, duke vazhduar gjithashtu përmes pamjeve të tjera magjepsëse nga kryevepra shekspiriane.
Konsiderohet si kombinim i një hulumtimi të thellë nga estetika japoneze, me jehonat e Commedia dell’ Arte. Një hapësirë skenike për të interpretuar, nga karakteret e vizatuara të Hamletit, Gertrudës dhe Ofelisë, të cilat krijojnë momente që na bëjnë të jemi edhe ne të pranishëm. Shfaqja është produksion i “Kompanisë së vogël Magnolia” nga Torino, Itali.
Rolet interpretohen nga Davide Giglio, Federica Carra dhe Giorgia Cerruti. Ndërsa skenografia dhe kostumet nga Claudia Martore dhe Alessandro Di Blasi. (koha.mk)