Delvina KËRLUKU
Hamit XHAFERI u lindi më 1949, në Zajaz të Kërçovës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në Tetovë. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu më 1978, në Shkup. Magjistroi në vitin 1985 dhe doktoroi në vitin 1996, në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 1981-2001 punon si profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Gjimnazin e Tetovës. Më 1998, zgjidhet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë. Gjatë viteve 1995-2001, zgjidhet profesor i Letërsisë së sotme shqipe në Universitetin e Tetovës. Nga viti 2001, punon në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Zgjidhet në titullin profesor i Letërsisë së vjetër, Letërsisë gojore dhe Letërsisë së sotme shqipe. Studiues dhe mbledhës i folklorit. Ka botuar një varg punimesh shkencore nga folklori, artikuj letrar, studime, trajtesa recensione, shpalime figurash letrare. Pjesëmarrës në konferenca shkencore ndërkombëtare në Gjermani, Rusi, Poloni, Hungari, Itali, Turqi, Bullgari, Romani, Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Greqi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.
KOHA: I nderuar profesor, keni mbrojtur disertacionin që lidhet me letërsinë dhe gjuhën shqipe. Kur nisi interesi juaj ndaj këtij studimi?
XHAFERI: Që nga vitet tetëdhjeta ka filluar interesimi im në mënyrë intensive mbi mbledhjen, hulumtimin dhe studimin e krijimtarisë gojore shqiptare në Maqedoni. Jam marrë me studime të ndryshme nga kultura tradicionale e folklori ballkanik, veçanërisht mbi arvanitasit në Greqi dhe më gjerë në disa treva shqiptare ndër arbëreshët e Kalabrisë dhe Sicilisë. Si rrjedhojë e hulumtimeve dhe studimeve brenda kësaj periudhe kohore kam arritur të botoj këto vepra studimore: Epika popullore shqiptare e trevës së Kërçovës, “Arbëria design”, Tetovë, 1996, Poezia popullore shqiptare e periudhës së reformave të Tanzimatit, “Arbëria design”, Tetovë, 1997, Studime dhe trajtesa nga letërsia gojore, “Interlingua”, Shkup, 2005; Bukuria e gruas shqiptare dhe jeta e saj midis tradicionales dhe religjiozes në Maqedoni, Qendra për Hulumtime Shkencore e UEJL, Tetovë, 2006; Parajsa dhe ferri në traditën popullore shqiptare dhe maqedonase, “Matica makedonska”, Shkup, 2008; Studime nga krijimtaria gojore shqiptare në Maqedoni, Interlingua, Shkup, 2010; Kontribute nga krijimtaria gojore shqiptare në Maqedoni, Interlingua, Shkup, 2012. Gjithashtu, kam botuar një varg punimesh shkencore dhe tekstesh universitare mbi çështjet letrare nga letërsia bashkëkohore shqipe: Figura emblematike të shqiptarizmit (Autorë dhe vepra), Çabej, Tetovë, 2000, Kahe letrare (Studime, artikuj, kumtesa), Interlingua, Shkup, 2004; Shqyrtime letrare, Botart,Tiranë 2009; Çështje letrare, Interlingua, Shkup, 2014. Tekste universitare mbi studimet master dhe të shkollës së doktoraturës nga letërsia dhe krijimtaria gojore shqiptare, Folklori arbëresh, Dispensë, 2010, Folklori i krahasuar, Dispensë, 2014, Shpalime figurash letrare, Dispensë, 2015.
KOHA: Jeni studiues i gjuhës shqipe, gjuhë kjo e bukur, që i thurën vargje poetët. Si e vlerësoni mohimin e gjuhës shqipe në institucione shtetërore të Maqedonisë, ku janë të përfshirë edhe shqiptarët?
XHAFERI: Për fatin tonë të keq, as Marrëveshja e Ohrit nuk realizoi premtimet për statusin e barabartë kushtetues të popullit shqiptar, as të drejtën e statusit të gjuhës zyrtare për shqipen. Të mohosh një gjuhë të vjetër indoevropiane, siç është gjuha shqipe të cilën e flasin rreth 40 për qind e popullatës në Maqedoni, kjo është absurde, e pakuptimtë, jo njerëzore, jo civilizuese, urrejtje e disa politikanëve dhe qarqeve maqedonase, të cilët, për mua, janë njerëz të sëmurë me sindrom patologjik. Të mohosh dhe injorosh gjuhën e bashkëvendësve dhe bashkëqytetarëve me të cilët jeton, kjo tregon primitivizëm dhe nivel të ulët.
KOHA: Shqiptarët kanë historinë e vet të gjatë (edhe përjetime), përmes së cilës, më parë, nuk mund të tregonin plotësisht, se flasin gjuhën shqipe. Sot sa të lirë janë shqiptarët të flasin gjuhën e tyre në vendin e vet?
XHAFERI: Ne jemi një popullatë autoktone këtu në Maqedoni, në të cilën jetojmë dembabadem. Nuk jemi të ardhur, siç pretendojnë ca pseudo-akademikë maqedonas në pseudo-enciklopedinë e tyre. Shqiptarët e flasin dhe do ta flasin gjuhën e tyre, duan apo s’duan të tjerët. Por ata kërkojnë që gjuha e tyre të jetë gjuhë zyrtare në Maqedoni, ashtu si maqedonishtja. Këtu nuk ka asgjë të keqe. Ne nuk jemi popull privat këtu në Maqedoni! Duam që gjuha jonë të flitet dhe të shkruhet në të gjitha institucionet në Maqedoni, sepse këto institucione janë të përbashkëta me maqedonasit. Ne nuk kërkojmë asgjë më tepër nga maqedonasit. Kjo është e drejtë natyrore e të gjithë popujve. Ne si komb e pranojmë gjuhën maqedonase, identitetin e tyre dhe dëshirojmë të jetojmë të barabartë këtu në Maqedoninë e përbashkët. Unë nuk shohë perspektivë tjetër përveç kësaj.
KOHA: Historikisht gjuha shqipe ka ekzistuar dhe është shkruar e folur në variantin e pellazgjishtes dhe ilirishtes. Për këtë flasin dokumentacionet e gjetura në arkivat e ndryshme të Evropës, por dokumentimi ynë është i pakët për këto periudha?
XHAFERI: Unë jam marrë me këtë çështje në studimin: “Disa pikëpamje vrojtuese të studiuesit Muzafer Xhaxhiu mbi idenë e zanafillës së paraardhësve tanë pellazge-ilire”. Ky studiues me njohuri të gjera dhe të thella ishte i dhënë pas rrënjëve të lashta të origjinës dhe historisë sonë kombëtare. Kemi të bëjmë me një ndër etnitetet e rralla, të cilët kanë një të kaluar mjaft të jashtëzakonshme dhe paraardhëse në historinë e qytetërimeve të Mesdheut. Por, duke pasur parasysh realitetin e natyrës pellazgjike, lypset të kemi në qendër të vëmendjes këndvështrimin e përgjithshëm të ngjarjeve, të dhënave dhe ndodhive të periudhës së lashtë dhe varësitë e tyre organike. Duke u mbështetur në hulumtimet dhe kërkimet shkencore, në radhë të parë të shkencës që studion historinë e shoqërisë njerëzore, dhe në burimet e ndryshme të historiografisë, të linguistikës, dhe posaçërisht të arkeologjisë shqiptare mbi problematikën e paraardhjes që në kohët më të lashta të popullit tonë dhe të kulturës së tij është argumentuar tërësisht në mënyrë shkencore, se në trojet e kësaj popullate të hershme, kanë jetuar ilirët dhe se shqiptarët janë stërnipër të tyre. Pellazgët janë njëlloj lidhjeje e pandërprerë e vijueshmërisë iliro-shqiptare. Kjo tanimë është vërtetuar në mënyrë shumë të qartë prej shkencës së arkeologjisë dhe gjuhësisë, sidomos prej shkencave të tjera.
KOHA: Krahasuar me gjuhët e tjera kombëtare të Evropës, shqipja nuk gëzon traditë letrare të gjatë?
XHAFERI: Shqipja dhe letërsia shqiptare kanë pasqyruar fatin e popullit shqiptar nëpër shekuj, fatin e një vendi të vogël në një rajon të Evropës. Letërsia jonë, si një kaçubë e njomë, zuri rrënjë në dheun shkëmbor të atdheut të saj, por rrënjët që do të priteshin këputeshin herë pas here. Letërsinë e periudhës së parë të shekullit të njëzetë nuk e la të merrte frymë regjimi komunist që nga viti 1944 e deri me rënien e komunizmit. Për këtë arsye letërsia e kohëve të reja ka një histori dhe zhvillim të vetin por është njëherazi pjesë përbërëse dhe jetike e tërë letërsisë shqiptare. Mirëpo sërish letërsia shqiptare nisi të lulëzojë mbi lastarët e traditave të veta letrare. Prandaj, letërsinë tonë lypset vështruar në mënyrë shpresëplote, ngase shkathtësia intelektuale e zhvillimit ka qenë e avashtë për një mirësi shpresëdhënëse të letërsisë tonë. Andaj letërsia shqipe nuk i kishte sprovuar mbresat e etapave kohore gjatë së cilave ka ecur Evropa. Por krijimet e mirëfillta letrare të saj prej ku veprat kryesore do të shfaqen me mbresa të fuqishme gjatë etapave të historisë, përmes të cilave kishte kapërcyer shoqëria shqiptare. Për sa i përket domethënies së vlerës dhe stileve bashkëkohore, kemi bindjen se është me rëndësi të zbulojmë pikëpamjet estetike dhe artistike të një plejade krijuesish letrarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, nga arbëreshët e Italisë dhe diaspora. Veçanërisht nga ky këndvështrim, pothuajse në të gjitha veprat e tyre vërejmë një krijimtari të një letërsie moderne dhe reale. Veprat e veçanta që janë botuar gjatë këtyre viteve, vlerësohen si një begati e mjeshtërisë letrare shqiptare.
KOHA: Sot, në fillim të shekullit XXI, ne jemi në gjendje të vlerësojmë objektivisht ngjarjet e së kaluarës, standardin e gjuhës, si rezultat të punës efektive shumëvjeçare në përsosjen e rregullave të drejtshkrimit e të sferave tjera të shqipes standarde?
XHAFERI: Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe është shprehje e kristalizimit të normës letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore. Ai pasqyron gjendjen e sotme dhe prirjet e përgjithshme të zhvillimit të gjuhës sonë letrare, e cila mbështetet gjerësisht në gjuhën e folur të popullit. Duke e ngritur në një shkallë më të lartë traditën e shkrimit të shqipes, drejtshkrimi i sotëm synon njësimin e mëtejshëm të normës së gjuhës letrare kombëtare mbi bazën e trajtave të përbashkëta që janë përvetësuar e përvetësohen prej saj. Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe kurorëzon një etapë të gjatë përpjekjesh për formimin e një gjuhe letrare të vetme e të përbashkët për gjithë popullin shqiptar dhe çel rrugën për ta përmirësuar më tej normën drejtshkrimore të kësaj gjuhe në pajtim me zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës dhe të kulturës sonë kombëtare.
KOHA: Disa profesorë, kur flasin për letërsinë shqipe, kanë parasysh vetëm letërsinë që krijohet brenda kufijve të shtetit aktual shqiptarë, e jo të kufijve gjuhësor të shqipes? A ka kufij letërsia shqipe?
XHAFERI: Letërsia jonë nuk ka kufij, ajo është letërsi kombëtare integrale. Por, me gjithë rrjedhën e turbullt të historisë shqiptare e ballkanase, shqiptarët si bashkësi gjuhësore mbetën një, ndërsa letërsia mbetet shprehja kulturore e popullit tonë, prandaj lypset vështruar si një tërësi, sado heterogjene në dukje. E tërë kultura jonë letrare shënjohet nga një veçanti unikumi që kushtëzon specifikën shqiptare në planin e brendshëm. Pra, letërsia jonë përfaqëson një spektër të objektit origjinal letrar në të cilin fuqia integruese gjithëkombëtare arrin shkallën më të lartë. Polisistemi letrar shqiptar shënjohet nga një kompleksitet i jashtëzakonshëm ku brenda saj vepron një rregullsi e lartë. Në trojet shqiptare historia e letërsisë arrin shkallën më të lartë të integrimit duke qenë “një dhe e tërë”.
KOHA: I nderuar profesor, jeni pjesë e Katedrës së Gjuhës Shqipe në UEJL. Cilat janë sfidat dhe progresi i kësaj katedre?
XHAFERI: Unë do flas për kohën kur kam qenë në krye të katedrës, se tani për fat të keq nuk funksionon Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe për shkak të numrit të vogël të studentëve?! Plani mësimor, në të cilin është zbërthyer programi mësimor për lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, ngërthen një sërë modelimesh studimore për të gjitha temat, të cilat janë trajtuar sipas metodave bashkëkohore të mësimdhënies. Në to përfshihen objektivat e temave studimore nga gjuhësia dhe letërsia dhe struktura mësimore e parashtrimit, ndërtimit të njohurive dhe përforcimi i tyre. Për çdo temë mësimore përcaktohen strategjitë që do të përdoren.
KOHA: Shumë nxënës tuaj kanë arritur sukses në jetë. Si e kujtoni kohën e mësimdhënies në gjimnazin e Tetovës?
XHAFERI: Aso kohe kur unë kam punuar si profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe më se 20 vite, Gjimnazi i Tetovës ishte ndër institucionet edukativo-arsimore të nivelit më të lartë në Maqedoni e më gjerë. Nxënësit tonë tregonin suksese të larta në studimet universitare në Kosovë, Kroaci dhe Maqedoni e gjetiu. Pothuajse të gjithë ata që konkurronin nëpër universitete arrinin të regjistroheshin. Për ne ka qenë më parësore detyra e formimit të brezave të rinj dhe ngritja kulturore dhe arsimore e tyre, duke e konsideruar shkollimin dhe diturinë si gjënë më të bukur. Këtë detyrë të lartë, por të rëndë e kemi kryer me frymë vetëmohimi, shpesh herë në kushte të vështira me sakrifica të shumëllojshme… Sot shumë ish nxënës të mi i kam kolegë në UEJL dhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës e gjetiu.
KOHA: Jeni paraqitur në shumë konferenca, me kumtesat mbi letërsinë dhe figurat e historisë së letërsisë. A ka një pikë të përbashkët letërsia e vjetër shqipe me letërsinë bashkëkohore shqipe?
XHAFERI: Rrjedhat e përgjithshme historike letrare zanafillën e tyre e nisin me letërsinë e vjetër dhe vazhdojnë të konstituohen me Rilindjen kombëtare të cilat në kohën e sotme arrijnë të bëhen pjesë përbërëse e pjesëmarrjes vetjake në korpusin e përgjithshëm historik letrar të letërsisë së vjetër me bashkëkohësinë. Andaj edhe pse kjo periudhë e hershme e letërsisë së vjetër është shumë larg bashkëkohësisë dhe konceptit të letërsisë së sotme, duke qenë fazë cilësore vetanake përfshin identitetin kombëtar në rrjedhat e përgjithshme letrare. Ndërsa letërsia e sotme shqipe është një qenie e gjallë dhe dinamike që zhvillohet, pasurohet dhe transformohet vazhdimisht. Veprat dhe proceset letrare shihen nga larg, domethënë nga një distancë e caktuar kohore siç është letërsia e vjetër. Kjo letërsi përfshin njohuri teorike mbi zhanret kryesore të letërsisë gojore, duke studiuar diskurset e ndryshme të kësaj krijimtarie, si: diskursin epik, kanunor, baladesk dhe fantastik. Nëpërmjet studimit të kësaj trashëgimie krijohet një vijueshmëri logjike për lidhjen e saj me letërsinë e shkruar shqiptare e cila bart në vetvete elementet e kulturës gojore tradicionale, në të cilën shqyrtohen zhvillime të letërsisë së vjetër, trajtohen autorët dhe veprat kryesore që hodhën bazat e letërsisë së mëvonshme të Rilindjes. Synohet të zbulohet elementi kombëtar nëpërmjet elementit letrar, duke ofruar një njohje themelore të koncepteve dhe fenomeneve letrare që lidhen me letërsinë bashkëkohore dhe me mendimin letrar.
KOHA: Çfarë kujtoni nga udhëtimi juaj, bashkë me studentët e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Kalabri a gjetiu?
XHAFERI: Duke ushtruar për një kohë të gjatë funksionin e Shefit të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe atë të Prodekanit për studime pasuniversitare, kam vënë lidhje të ngushta bashkëpunimi me katedrën simotër të arbëreshëve në Universitetin e Kozencës, të cilën katedër e udhëheq profesori i mirënjohur Fracesco Altimari, një mik i madh i imi. Me studentët tanë kemi bërë tetë vizita me karakter hulumues dhe shkencor, duke i vizituar të gjitha katundet arbëreshe (kështu i thonë arbëreshët fshatit), siç janë: Frasnita- vendlindja e studiuesit të folklorit arbëresh Frangjisk Solano, alias Dushko Vetmo. Çifti – simbolizon fatin e katundit të fshehur si margaritarja, Urën e djallit, me vallet e dikurshme dhe të Martën e Pashkëve. Maqi – vendlindja e Jeronim De Radës. Shën Mitri – mjaft miqësor simbolizin Arbërinë e vogël dhe Festivalin e këngës Arbëreshe. Shën Sofia-thuhet se është mbushur me lotët e mërgimtarëve, siç është kënga “Moj e bukura More” malli i përhershëm i arbëreshëve. Shquhet gjithashtu me mënyrën origjinale të festimeve të Pashkëve, Krishtlindjeve dhe me ansamblin “Shqiponjat”. Moliza është e njohur për kulturën gojore, fondin e përrallave, rapsodive dhe traditat popullore dhe katundet Strigari, Mbuzati, Vakarici, Falkonara, Firmoza. Të gjitha udhëtimet tona kanë qenë imagjinuese dhe mallëngjyese të cilat nuk mund të përshkruhen me kaq hapësirë që kam në dispozicion. Dua të them se ne për së afërmi jemi njohur dhe kemi prekur për së afërmi këtë trung të vjetër të qenies tonë kombëtare që janë shpërngulur nga trojet e tyre etnike pothuajse para gjashtë shekujsh duke u vendosur në rajonin e Kalabrisë dhe të Sicilisë në Horën arbëreshe që simbolizon Vallen e Himarës
KOHA: I nderuar profesor, cikli i jetës tonë nis me fëmijërinë, pastaj rininë…Kohë e vështirë a kohë e bukur, fëmijëria dhe rinia juaj?
XHAFERI: Fëmijëria dhe rinia ime ka qenë njësoj si ajo e fëmijëve tjerë shqiptarë fillimisht në vendlindjen time në fshatin Zajaz të Kërçovës dhe pastaj në vitin 1961 kur familja ime vendoset në Tetovë, isha nxënës i klasës së pestë në Shkollën fillore “Liria”. Rrugëtimi im ishte vetë bota ime, për të cilën kisha një dashuri të madhe për të, por që ishte dëshmitare e peripecive të mia…Në Zajaz kujtoj shtëpinë e fëmijërisë ku kalova 11 vjet dhe mësova të bëj një jetë ku për gjithçka duhej t’i shërbeja vetvetes. Në Tetovë kujtoj shkollën fillore “Liria” dhe Gjimnazin e njohur të këtij qyteti, kur isha tashmë një djalë i rritur e duhej të isha shumë më serioz sesa më parë. Kujtoj çastet e mbarimit të shkollës së mesme të drejtimit pedagogjik dhe punësimin tim si mësues ku punova disa vite dhe vazhdoja studimet me korrespondencë në Akademinë Pedagogjike në Shkup. Kujtoj shokët e mi Vebi Bexhetin, Huzri Hashimin dhe Namik Zylbeharin kur bisedonim për letërsinë ndërkohë që bënim xhiro në sheshin e qytetit të Tetovës. Por kisha edhe shokë të tjerë që i kujtoj aty në rrugën e lagjes ku kaluam rininë tonë. Kujtoj poezinë time të parë “Malli i truallit tim” të botuar në gazetën lokale “Pollogu” në Tetovë, të cilën e recitoja në dritaren e shtëpisë sime me zë të lartë. Kujtoj shumëçka nga fëmijëria dhe rinia ime në Tetovë sa mund të them se këto nuk janë thjesht kujtime, por janë një jetë që gjithnjë më rri pranë sikur ka ndodhur dje. Pasioni im ka qenë e bukura, të cilën e kam ndjerë dhe shijuar në profesionin tim si mësues, si profesor në Gjimnazin e Tetovës, si profesor i ligjëratave të para në Universitetin e Tetovës dhe më pas në Universitetin e Evropës Juglindore . Ajo çfarë dua të them është se profesioni është një zgjidhje apo një rastësi, ku punova me përkushtim dhe dashuri, sepse këtu e gjeta mishërimin e dashurisë së këtij profesioni. Por ky profesion me nxënësit dhe studentët më zgjoi një dashuri tjetër të madhe, studimin e letërsisë gojore shqiptare, letërsisë së vjetër dhe letërsisë së sotme shqipe, të cilat janë bërë bashkudhëtaret e mia të përhershme dhe kudo që ndodhem them në vetvete se do më ndjekin besnikërisht deri në fund. Të tria këto përzgjedhje të profesionit tim i bashkon pasioni, dashuria dhe e bukura në artin letrar. E kjo për mua është vërtet një satisfaksion i madh. Pra, vërtet nuk e di se kur, si dhe pse u gjenda në një hulli të tillë bashkë me artin. Siç duket këtu ndjeva poezinë në prozë dhe magjinë e narracionit. Si të thuash bëj me dije ekzistencën time në art që është pjesë e ngjizjes sime edhe si njeri edhe si studiues. Mendoj se lirizmi im fryn nëpër kanatet e fëmijërisë sime pa të cilin nuk do të isha ky që jam. Nuk kam as kohë të lirë e as kohë të zënë. Liria është relative ndërsa koha ka vetëm një sens, do apo nuk do, ikën. Përpara alternativës që koha mund të ikë dhe mund të mos lërë pas asgjë, unë jam i prirë të sakrifikojë kohën e lirë. Ky profesion nuk ka kohë, ai ecën bashkë me ty, edhe natën edhe ditën. Kjo mpleksje ndodh kur krijimi të bëhet qëllim i jetës dhe tundim i shpirtit e pa të cilin nuk e kupton ekzistencën.
KOHA: Studentët janë pjesë e jetës tuaj, ashtu si familja. A i ktheheni kujtimit të jetës studentore. Ku dallohet jeta e një studenti sot me atë të djeshmen?
XHAFERI: Jeta ime studentore ka qenë krejtësisht ndryshe nga ajo e studentëve të sotëm, por edhe kjo ka pasur çaste të këndshme. Ne ishim fjalëpak, por fjalët tërhiqnin vëmendjen e rrënjoseshin në ndërgjegjen tonë. Komunikimi me profesorët tanë ka qenë i rrallë, por kur rastiste të bisedonim me ta, ne na dukej sikur na jepnin diçka nga bota e tyre e pasur. Sot është krejtësisht ndryshe jeta e studentëve dhe më vjen mirë që është kështu. E them me kënaqësi se studentët e mi kanë qenë dhe janë krenaria dhe mburrja ime. Këtë do ta ilustroj me një të vërtetë në ligjëratën time të parë në UEJL. Aso kohe kishim student pothuajse nga të gjitha trevat shqiptare, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Në takimin e parë me ta vërejta se ata ishin ulur veç e veç, varësisht prej nga vinin. Pas mbajtjes së ligjëratës në orën e parë u dhashë pushim dhe u sugjerova që në orën e dytë: nuk dua tu shoh të ulur sipas vendeve prej nga vini, por të përzier mes veti se jeni vëllezër! Në orën e dytë të mësimit vërejta një pamje krejtësisht tjetër! Më buzëqeshte fytyra edhe mua edhe atyre! Ndërsa unë gjersa flisja para tyre, bëja edhe një heshtje sekondash nga emocionet, gati sa më shpërthyen lotët e gëzimit. Me shumë dashamirësi jo vetëm se i ndihmoja, por edhe i motivoja që t’i kryenin studimet si është më së miri. Fjalët, epitetet, vlerësimet lypset të jenë të pakursyera studentët. Kjo ka qenë kënaqësia ime dhe më vjen mirë, që kam bashkëpunuar me studentët e mi duke ruajtur kujtime të pashlyeshme për ta.Dashuria dhe respekti ndaj tyre ka qenë proverbiale.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara