Lewis Hamilton me Mercedes fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Spanjës në Formula 1, pas një beteje epike me Sebastian Vettel, duke korrur suksesin e dytë sezonal (triumfi nr.55 në karrierë). Në pistën e Barcelonës, dy pilotët dhuruan një garë fantastike mes tyre, duke konfirmuar se titulli kampion do të jetë i hapur deri në kthesën e fundit të garës së fundit. Vettel tentoi deri në fund të triumfojë, por kënaqet me vendin e dytë edhe pse e udhëhoqi garën në gjysmën e saj, ndoshta për faj të strategjisë së gomave. Në podium ngjitet edhe makina Red Bull e Daniel Ricciardo, i treti, duke bërë një garë disi anonime, por australiani shfrytëzoi në maksimum situatat dhe tërheqjen e pilotëve rivalë. Bottas (Mercedes), Raikkonen (Ferrari) dhe Verstappen (Red Bull) e mbyllën para kohe garën, duke mos marrë asnjë pikë.
Gara nis mjaft mirë për Vettel, që bën një start fantastik, duke kaluar Hamilton në kthesën e parë dhe merr menjëherë komandën. Por makina tjetër Ferrari, ajo e Kimi Raikkonen, del menjehërë nga gara, pas një kontakti me Max Verstappen në kthesën e parë, duke detyruar edhe rivalin e Red Bull të braktisë herët garën. Vettel është më i shpejtë se dy makinat Mercedes të Hamilton dhe Bottas që e ndjekin pas, duke krijuar një shkëputje të lehtë dhe garon i qetë. Ferraristi është i pari që hyn në bokse, duke vendosur të ndjekë një strategji ndryshe nga ajo e Mercedes, që hyn në bokse më vonë me dy pilotët e saj.
Hamilton hyn para Vettel, por piloti gjerman i Ferrarit mban kreun kur del nga bokset edhe pse rrezikon kontaktin me rivalin britanik të Mercedes, që del jashtë piste. Ndërkohë që, makina tjetër Mercedes, ajo e Valtteri Bottas, ka probleme, humbet papritur fuqinë dhe detyrohet të ndërpresë garën. Kështu, 25 xhiro nga fundi nis një duel i fortë mes Vettel dhe Hamilton, me britanikun që arrin ta parakalojë gjermanin në xhiron e 45-të, por pa u shkëputur dot. Ndaj rivaliteti vazhdon deri në fund, një dyshe që lë një xhiro pas pilotët nga vendi i pestë e mbrapa, duke bërë një garë më vehte.
Xhirot e fundit nuk dhurojnë shumë surpriza, pasi Hamilton arrin të ruajë një diferencë rreth 3-4 sekonda karshi Vettel, pasi garon me goma të buta, karshi atyre të mesme që ka gjermani i “kokëkuqes”. Për pasojë, Hamilton pret i pari finishin, duke lënë pas Vettel e Ricciardo, që renditet i treti edhe pse ka më shumë se 1 minutë disavantazh se fituesi. Surprizojnë dy makinat Force India, që renditen në vendet 4-5, me Perez dhe Ocon. Pas tyre, nga vendi i gjashtë në të dhjetin u renditën Hulkenberg (Renault), Wehrelin (Sauber), Sainz (Toro Rosso), Kvyat (Toro Rosso) dhe Grosjean (Haas). Alonso e mbylli garën në vendin e 14-të edhe pse u nis nga vendi i shtatë. Në renditjen e përgjithshme, Vettel qëndron në krye, në kuotën e 104 pikëve, 6 më shumë se Hamilton, ndërsa në vendin e tretë është Bottas, me 63 pikë. Gara e radhës, pas dy javësh në Montekarlo.