Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka nisur një hetim në adresë të pilotit britanik Lewis Hamilton, për bluzën që ai mbante të veshur para dhe pas garës së zhvilluar ditën e diel në pistën e Mugello (Itali). Britaniku i Mercedes mbante të veshur një bluzë të zezë, ku shkruhej: “Arrestoni policët që vranë Breoona Taylor”.
Ndërsa në pjesën e pasme të bluzës ishte fytyra e mjekes së vrarë në Lousisville me 8 plumba, në momentin që policët hynë më forcë në shtëpinë e saj. Sipas mediave, policët hynë dhunshëm në shtëpi, pa njoftuar se janë përfaqësuesit e forcave të rendit. 3 policët për momentin janë të pezulluar.
FIA ka vendosur të hetojë për fanellën që Hamilton mbante të veshur ditën e diel. Sipas FIA ajo fanellë mund të përmbajë në vetvete një mesazh politik. “Kjo është ajo që ne po hetojmë”, tha zëdhënësi i FIA-s. Gjithsesi, Hamilton rrezikon një penalizim, që me shumë gjasa do të jetë një gjobë.