Ka barazuar Sebastian Fettel, kaloi një legjendë si Airton Senna dhe, sipas drejtorit të garave të Formula 1, Ross Braun, në të ardhmen mund të kalojë edhe ikonën Mihael Shumaher. Piloti britanik Luis Hamilton siguroi ditën e diel titullin e katërt kampion bote në Formula 1, ndërkohë që në karrierë ka arritur 62 fitore dhe është ende shumë larg rekordit të 91 fitoreve që ka Mihael Shumaher. Por, për Braun kjo gjë është e mundur.
“Mendoj se rekordet e Mihael janë të arritshme për Luis nëse do të ruajë këtë ritëm”, tha Braun, që ka punuar me Shumaherin te Ferrari. Hamilton ka ardhur te Mercedesi në vitin 2013, duke zënë pikërisht vendin e Shumaher dhe asokohe Braun ishte në detyrën e shefit të makinës gjermane. “Asokohe mendoja se askush nuk mund të barazonte rekordet e Mihael, por duke parë nivelet që ka arritur Hamilton, gjithçka mund të ndodhë. Në Meksikë ai pati një garë të vështirë, por ka qenë i jashtëzakonshëm gjatë sezonit”, tha Ross Braun.
Këtë vit, Hamilton vendosi rekordin e “pole position”, 72 të tillë të arritura në karrierë, duke kaluar kuotën ë 68 “pole” që kishte Shumaher.