Lewis Hamilton triumfon në Çmimin e Madh të Britanisë, duke siguruar suksesin e 7-të sezonal, që e blindon në krye të klasifikimit, i shkëputur tashmë me +39 pikë nga shoku i tij i skuadrës, Valtteri Bottas, me finlandezin që e mbylli në vendin e dytë, pas një garë që dhuroi gjithçka. Hamilton bëhet piloti me më shumë suksese në Silverstone, 6, duke lënë pas emra të mëdenj të historisë si Jim Clark dhe Alain Prost.
Në podium u ngjit edhe i jashtëzakonshmi Charles Leclerc, që dhuroi spektakël në pistë, ndërsa Sebastian Vettel u detyrua ta kalonte i 16-ti vijën e finishit. Gjermani ishte protagonist në një aksident me Red Bullin e Verstappen e për rrjedhojë mori edhe një penalizim prej 10 sekondash.
Talenti i pilotit, superfuqia e makinës dhe sigurisht edhe fati janë elementët e suksesit të Hamilton, që rikthehet të triumfojë në shtëpi pas pauzës së vitit të kaluar.
Ditë e keqe për për Valtteri Bottas, i kapur në befasi nga ndërhyrja e makinës së sigurisë, që erdhi në momentin e gabuar për të dhe në atë perfekt për shokun e tij të skuadrës. Për Ferrarin ishte një e diel me dy fytyra: ajo e freskët dhe plot energji e Leclerc dhe tjetra e mposhtur e Vettelit, që po shfaqet gjithnjë e më konfuz.