Lewis Hamilton shprehet se pavarësisht 5 titujve kampionë bote në Formula 1 ai ende nuk e ka arritur majën e karrierës së tij. Piloti britanik i Mercedes e ka nisur shkëlqyeshëm edhe sezonin 2019, duke u projektuar drejt titullit të gjashtë. Hamilton synon që brenda dy viteve të arrijë rekordin e 91 fitoreve në Formula 1 që mbahet nga legjenda Michael Schumacher.
Këtë fundjavë zhvillohet gara e Austrisë në Formula 1 dhe Hamilton nga 36 pikë avantazh karshi shokut të tij të skuadrës Valtteri Bottas. “Ndjej se kjo që kemi bërë është vetëm fillimi dhe më e mira ende nuk ka ardhur. Jam i sigurtë se edhe këtu do të bëjmë një paraqitje të mirë. Mercedes? Ende nuk keni parë gjë ende nga Mercedes dhe Hamilton”, tha britaniku.
“Jam në formë të shkëlqyer fizike dhe psikologjike, gati për një tjetër garë. Punoj fort dhe shoh me optimizëm përpara, duke besuar te makina dhe vetja. Gjithnjë punoj për t’u përmirësuar dhe do t’ia dal mbanë”, tha Hamilton.