Hamilton e mbyll botërorin me triumf, dominon edhe në pistën e Abu Dhabi

0

Lewis Hamilton me Mercedes fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Abu Dhabi në Formula 1, gara që mbylli Botërorin 2018, me pilotin britanik që bëri një paraqitje të shkëlqyer, duke e merituar këtë triumf. Ai la pas Sebastian Vettel me Ferrari, i dyti, ndërsa në podium u ngjit edhe Max Verstappen me Red Bull. Gara e zhvilluar në pistën e Yas Marina ishte me dy pamje, më e bukur në pjesën e parë, ku pati më shumë emocione e surpriza, ndërsa 25 xhirot e fundit ishin të mërzitshme.

Pas tri piloëtëve të parë, u rendit Daniel Ricciardo (i katërti) me makinën tjetër Red Bull e më pas Valtteri Bottas me Mercedes (i pesti). Në “top-10” u klasifikuan edhe Sainz (Renault), Leclerc (Sauber), Perez (Force India), Grosjean e Magnusen me Haas. Vetëm i 11-ti Fernando Alonso me McLaren, në garën e tij të fundit në Formula 1, pas 17 vitesh karrierë në këtë sport (zgjidhet si piloti më i mirë i garës).

Gara nis me surpriza e panik, pas makina Renault e Nico Hulkenberg përmbyset pas një kontakti me Grosjean, por për fat pa pasojë për pilotin gjerman. Në pistë hyn makina e sigurisë, por i pafat është edhe piloti finlandez Kimi Raikkonen, që pas disa xhirosh tërhiqet, pasi makina e tij Ferrari ka probleme. Kjo ishte gara e fundit e Raikkonen me “kokëkuqen”, pasi sezonin tjetër do të garojë me Sauber.

Komisarët vendosin regjimin e makinës së sigurisë virtuale, moment kur Hamilton hyn në bokse për të ndërruar gomat, duke lëshuar kreun, aty ku qëndron Bottas e pas tij Vettel e Ricciardo. Piloti britanik dhuron spektakël me Verstappen pas rikthimit në pistë, por Hamilton nuk arrin të parakalojë talentin e ri holandez me Red Bull, që mbrohet mirë.

Më pas gara është e qetë, pilotët nisin një e nga një ndërrimin e gomave, pa dhuruar parakalime, ndërkohë që i vetmi që vonon ndryshimin e gomave është Ricciardo, që i shtyn ato për shumë xhiro. Për një moment krijohet frika se shiu do të jetë protagonist, duke qenë se në rrethinat e pistës së Yas Marina ka reshje, por jo aty ku garohet.

20 xhiro nga fundi, Hamilton merr sërish kreun ndjekur nga Vettel, që përfiton nga gabimet e Bottas, ndërkohë që në vendet 3-4 janë dy makinat Red Bull. Kjo situatë nuk ndryshon në xhirot e fundit, kur pilotët ruajnë pozicionet e tyre, me Hamilton që korrr suksesin e 11-të sezonal, duke e mbyllur kampionatin me fitore. Bashkë me të në podium edhe Vettel e Verstappen, që pritet të jenë protagonistë edhe Botërorin 2019.

Comments are closed.